Lajme

Agjencia Kundër Korrupsionit, internetin dhe rrymën e paguan në mallra dhe shërbime

By FIRST CHANNEL

June 24, 2016

Auditori Gjeneral ka gjetur disa vërejtje tek institucioni i Agjencisë Antikorrupsion sa i përket financave dhe shpenzimeve.

Sipas raportit të auditorit, kundërkorrupsioni ka pas dobësi në planifikimin dhe realizimin e buxhetit.

“Në vitin 2015, AKK ka buxhetuar gabimisht një pjesë të shpenzimeve për investime kapitale në kategorinë e mallrave dhe shërbime. Agjencioni nuk e kishte kërkuar transferimin e mjeteve në kategorinë përkatëse por blerjen e kishte procesuar dhe evidentuar në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Kjo është vërejtur në rastet në vijim. Obligimi i vitit të kaluar në vlerë 6 mijë e 887 euro lidhur me kontratën për rregullimin e rrjetit të internetit dhe telefonisë fikse, ishte paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve; si dhe Kontrata “Ri-instalimi dhe Zgjerimi i Rrjetit Elektrik” në vlerë 3 mijë e 492 euro, ishte buxhetuar në kategorinë mallra dhe shërbime edhe pse për nga natyra i përket investimeve kapitale. Shkaku i realizimit dhe evidentimit të tyre në kategorinë mallra dh e shërbime ishte mungesa e buxhetit për projektet kapitale”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, sipas auditimit, Agjencia Kundërkorrupsion ka pas vërejtje edhe sa i përket prokurimit.

Sipas këtij raporti, AKK ka nënshkruar kontrata për shërbime të ndryshme pa zotuar mjete.

“Ne kemi rishikuar procesin e blerjeve përmes prokurimit për të vlerësuar nëse AKK-ja ka zbatuar procedurat dhe i është përmbajtur dispozitave të ligjit të prokurimit publik. Për vitin 2015, kemi testuar gjashtë kontrata të prokurimit (procedurat deri në nënshkrimin e kontratës) në vlerë 32 mijë e 413 euro, si dhe 17 pagesa për shpenzime të kategorive të ndryshme në vlerë 54 mijë e 258 euro. Lidhur me këto, testet tona shpalosën çështjen si në vijim: Çështja 5 – Zotimi i mjeteve dhe nxjerrja e urdhër-blerjes pas pranimit të faturës – Prioritet i mesëm. E gjetura Sipas rregullave të Thesarit, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për ble rje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj pranohet malli apo shërbimi, pranohet fatura dhe në fund realizohet pagesa. Po ashtu asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotim paraprak. AKK gjatë procesimit të pagesave nuk kishte respektuar kërkesat e lartcekura”, thuhet në raport.

Po ashtu sipas raportit, në dy pagesa, “Sigurimi i ndërtesës” në vlerë 1 mijë e 130 euro dhe “Furnizim për zyrë” në vlerë 3 mijë e 937 euro, urdhër-blerjet ishin procesuar pas pranimit tё faturës. Vonesat ishin nga dy deri në 10 ditë; dhe te pagesa “Shërbime tjera kontraktuese” në vlerë 2 mijë e 550 euro, vërejtëm se zotimi i mjeteve ishte bërë pas lidhjes së kontratës, (kontrata ishte nënshkruar me datën 02.03.2015, ndërsa zotimi pas tetë ditëve, përkatësisht më datë 10.03.2015).

“Vonesat në zotimin e mjeteve ishin vërejtur edhe te kontrata “Plastifikimi dhe kornizimi i posterave dhe shtypja e Broshurave” në vlerë 4 mijë e 955€ euro, ku zotimi ishte bërë një ditë pas nënshkrimit të kontratës. Zyrtarët e financave, gjatë procesimit të lëndëve për pagesë, kanë dështuar të ndjekin të gjitha hapat e përcaktuara me rregulla të thesarit. Në anën tjetër zyrtari çertifikues nuk ka arritur të parandaloj këtë dukuri”, thuhet në raport.

Sipas auditimit, rreziku “Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme” mund të rezultojë në vonesa të implementimit të kontratës dhe rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues.

Ndërsa, kryerja e pagesave për mallra dhe shërbime para se të përcaktohen kërkesat/nevojat, mund të rezultojë që të pranohen mallra të cilësisë dhe sasisë jo të nevojshme.

Auditori i sugjeron drejtorit të AKK-së që të nënshkruaj kontrata vetëm atëherë kur ekzistojnë fonde që sigurojnë ekzekutimin e tyre.