Selimi: Nuk e di pse jam në “listën e zezë” të SHBA-ve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, 15 vjet më parë kishte shpallur një emergjencë kombëtare në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u marrë me kërcënime të pazakonta dhe të jashtëzakonshme ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Ky vendim prekte direkt me emër e mbiemër personat e angazhuar, që sipas SHBA-së, ndihmojnë, sponsorizojnë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Maqedoni, Bosnjë dhe Kosovë. Të njëjta masa janë miratuar edhe 15 vite më vonë nga Presidenti i tanishëm Barack Obama.

Nga Kosova vazhdojnë të jenë në listë emra kryesisht nga lufta e fundit dhe tashmë të përfshirë në politikë.

Disa nga ta janë: Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Sami Lushtaku, Daut Haradinaj, Ramiz Lladrovci, Emrush Xhemajli, Azem Syla dhe të tjerë.

I kontaktuar nga Telegrafi, Rexhep Selimi ka thënë se sot e 15 vite nuk e di arsyen e përfshirjes së emrit të tij në këtë listë.
“Ashtu sikur para 15 vitesh, po ashtu edhe sot nuk e di për atë listë. Vetëm e di që emri im është përfshirë aty në kohën e Luftës në Maqedoni, kështu që nuk e di ende”, ka thënë Selimi, për Telegrafin.

Presidenti amerikan, Barack Obama ka vendosur që emergjenca kombëtare e shpallur më 26 qershor 2001, dhe masat e miratuara në atë datë, duhet të vazhdojnë të mbesin në fuqi edhe pas 26 qershorit 2016.

Temat
LajmeVend

Të afërta