Polici qëlloi veten me armë pas sherrit me bashkëshorten

Efektivi i policisë Bashkim Çeça u vetëplagos dje me armën e shërbimit pas debatit që pati me bashkëshorten. Ngjarja ndodhi dje kur 41-vjeçari kishte shkuar në banesë pasi kishte mbyllur turnin.

Ka qenë debati me bashkëshorten, që e detyroi efektivin të qëllonte veten. Ai u fut në dhomën e gjumit dhe shkrepi armën mbi kraharor, duke bërë që plumbi të kalonte fare pranë zemrës.

Çeça ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa fillimisht u mendua se ngjarja mund të ishte aksidentale. Gazeta ‘Panorama’ shkruan se këto dyshime u hodhën poshtë pasi u analizua me kujdes ngjarja, duke pasur parasysh edhe faktin se plumbi ishte pranë zemrës dhe në një shkrepje aksidentale kjo nuk do të ishte e mundur.

Ka qenë gruaja e të plagosurit që lajmëroi sallën operative dhe ambulancën, kur dëgjoi krismën nga dhoma e gjumit dhe pa bashkëshortin të mbuluar me gjak.

Ende nuk dihet saktësisht se për çfarë arsyeje ndodhi debati mes çiftit, pasi e shoqja nuk ka qenë në gjendje t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të oficerëve të policisë.

Temat
LajmeRajon

Të afërta