Papa Francesku “thyen rregullat” për emigrantët

Papa Francesku është i njohur për karizmën e tij dhe mbështetjen që ka treguar për emigrantët.

Këto dy cilësi i shfaqi edhe gjatë fjalimit të përjavshëm në Vatikan, ku u solidarizua me disa azil-kërkues të cilët kishin dalë ta përshëndesnin. Ata mbanin në duar një pankartë ku shkruhej “Refugjatët për një të ardhme së bashku”.

Pasi i përshëndeti, Ati i Shenjtë i ftoi ata që t’i bashkohen në podiumin ku mban zakonisht fjalimet e tij. Kjo është një ngjarje e cila ndodh shumë rrallë.

Emigrantët u ulën përballë tij, duke pritur që Papa Francesku të mbante drejtuar të pranishmëve.

Pas përfundimit të fjalës, Ati i Shenjtë i ftoi emigrantët për të pozuar së bashku, duke mbajtur përpara pankartën që ata kishin përgatitur. Më pas, refugjatët zhvilluan edhe një bisedë me Papa Franceskun.

Ati i shenjtë u ka bërë vazhdimisht thirrje liderëve të shteteve evropiane që të mbështesin emigrantët si dhe të tregohen më solidarë me persona të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës ose rrethanave diskriminuese.

Disa muaj më parë, ai zhvilloi edhe një vizitë në ishullin grek Lesbos, vend në të cilin mbërrijnë për herë të parë shumica e refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Temat
BotëLajme

Të afërta