Greyfriars Kirkyard është njëra ndër varrezat më të njohura skoceze dhe gjendet në Edinburg, por shkaqet e popullaritetit të kësaj varreze ua fusin frikën në loçkë të zemrës.
Kjo varrezë është “hapur” në mes të shekullit XVI, e për mallkimin e saj filloi që të pëshpëritej 17 vjet më parë, në vitin 1999. Në atë vit dikush kishte hyrë në këtë varrezë, ku gjendet i varrosur avokati famëkeq George Mackenzie, i cili kishte bërë kërdinë në këtë qytet gjatë shekullit XVII, gjë që edhe kishte nxitur zërat rreth mallkimit të varrezës.
Çka thotë poeti
Poeti skocez, Robert Luis Stivenson në një libër të tij të botuar në vitin 1879 kishte shkruar fjalë, të cilat shumë persona besojnë se janë realizuar: – Kur shpirti i njeriut është thellë në ferr, trupi i tij zor se mund të rehatohet. Herët apo vonë, dera do të hapet, e krimineli do të dalë i mbështjellë me rrobën e shëmtuar të varrit – shkruante Stivenson në librin e tij, duke e pasur mendjen mu tek avokati i tmerrshëm,”Mackenzie gjakatari”.
Burgu, afër varrezës
Burgu në të cilin ai i kishte futur më shumë se 1.200 njerëz për shkak të tentimit të revolucionit në shekullin XVII gjendej afër kësaj varreze. Nga burgu dolën të gjallë vetëm 257 të burgosur. Shumë të tjerë, të cilët nuk e patën këtë fat, janë varrosur mu në këtë varrezë, ku në fund do të varroset edhe trupi i katilit të tyre. Pasi që në vitin 1999 në mauzole kishte hyrë një i pastrehë, në këtë varrezë kishin filluar të ndodhnin fenomene paranormale. Midis viteve 1999 – 2006, në varrezë janë evidentuar 450 sulme të pashpjegueshme, me ç’rast 150 njerëz kishin mbetur pa vetëdije, e një “profet” lokal kishte vdekur në rrethana të paqarta.
Destinacion turistik
Sot kjo varrezë është destinacion i preferuar për mijëra turistë kureshtarë, të cilët duan të vërtetohen në thashethemet rreth mallkimit të këtij vendi. Shumë prej tyre thonë se nga këto vizita ishin kthyer me mavijosje, gërvishtje dhe me djegie në trup, me lëndime të ngjashme me ato të cilat Mackenzie ua shkaktonte revolucionarëve. Një karmë e keqe e përcjell këtë varrezë edhe për shkak të thashethemeve, se në shekullin XVIII, aty ishin plaçkitur varrezat, ku kufomat ishin marrë nga studentët e anatomisë, për mësime praktike.