Çerdhet në Prishtinë salsiçet i zëvendësojnë me spinaq

Fëmijët në çerdhet publike në kryeqytet në vend të salsiçeve që i kanë konsumuar në të kaluarën tash e tutje do të konsumojnë spinaq. Ky zëvendësim erdhi me menynë e re të cilën e ka bërë Komuna e Prishtinës.

Përgatitja e ushqimit për fëmijët në kopshtet publike në Prishtinë, nga tash e tutje është duke u përgatitur nga kuzhina qendrore e kryeqytetit, pasi për një kohë ky shërbim ishte privatizuar duke u kontraktuar kompani të ndryshme private.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës së fundmi e ka ndërruar edhe menynë e ushqimit për fëmijë, duke e përmirësuar dhe pasuruar me produkte të shumta ku kryesisht e përbëjnë perimet dhe ushqimet tjera të freskëta.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, tha për KosovaPress se për përzgjedhjen e ushqimeve dhe produkteve që fëmijët duhet t’i konsumojnë, janë angazhuar nutricionistët.

“Produktet për përgatitjen e ushqimit janë të freskëta për çdo ditë, gjellëbërëset që punojnë aty e kanë autorizimin dhe janë me një farë forme të obliguara që të sigurohet që çdo produkt i cili përdoret për ushqim për konsumim të fëmijëve të jetë i freskët. Ne bëjmë vizita dhe kontrolle të rregullta dhe për përcaktimin e menysë jemi konsultuar me personat kompetent të fushës, me nutricionistë të cilët e kanë përcaktuar për moshën e fëmijëve cili është ushqimi i nevojshëm dhe më i shëndetshëm. Ushqimi është shumë i llojllojshëm, ka shumë fruta, ka ushqime të freskëta dhe të gjitha përgatiten në kuzhinën qendrore dhe servohen të freskëta për fëmijët”, ka thënë ajo.

Nagavci ka shtuar se Komuna i ka zëvendësuar të gjitha produktet e përpunuara siç janë salsiçet apo pashtetat me produkte tjera të freskëta.

“Menyja është e vendosur në të gjitha kopshtet, prindërit janë të njoftuar me menynë dhe ne tashmë i kemi hequr nga menyja produktet si salsiçet, pashtetat ose produkte të tilla, këto i kemi zëvendësuar me fruta, dhe me ushqim që është i përshtatshëm për moshën e fëmijëve, ka shumë spinaq, fruta të freskëta, gjella që përgatiten për fëmijët nga kuzhinieret e i cili iu servohet për çdo ditë varësisht sipas menysë që e kanë përcaktuar dhe përmban të gjitha vlerat ushqyese për fëmijët”, ka deklaruar Nagavci.

Drejtoresha Nagavci po ashtu ka thënë se Komuna është duke e rritur numrin e institucioneve para-fillore në mënyrë që sa më shumë fëmijë të kryeqytetit të kenë mundësi të përfshihen në këtë nivel të shkollimit.

Fëmijët në kopshtet publike në Prishtinë ushqehen dy herë në ditë, në mëngjes dhe drekë, si dhe u jepet nga një desert në të cilin u servohen perime apo ëmbëlsira të caktuara.

Temat
LajmeVend

Të afërta