Elis Bakaj tregon derbin në familje. E fejuara e tij rumune Andrea nuk ka qenë përkrah tij në ndeshjen Shqipëri – Rumani por në distancë Elisi e ka fituar derbin ndërsa Andrea i ka mbajtur qëndrim duke mos i folur.
Futbollisti shqiptar rrëfen emocionet e tij për fitoren historike, tregon përjetimin në çift dhe jep disa mesazhe për Shqipërinë, Tiranën dhe rrëfen gjithashtu si po përjetohet Europiani në Kroaci. Aventura tek skuadra e re e RNK Splitit ka nisur mjaft mirë. Bakaj nuk ka kohë për plazh por i duhet të përqëndrohet për eksperiencën e re në një kampionat më të fortë se ai shqiptar.
Elis si e pe ndeshjen Shqipëri – Rumani? Vetëm apo me Andrean?
Fatkeqësisht e pashë vetëm pasi jam në Split për stërvitjen me skuadrën. Do doja shumë të isha i pranishëm në Francë por më duhej ti bashkohesha ekipit në stërvitje.
Si e përjetoi ajo?
Normalisht që ishtë pak e mërzitur për shkak të humbjes së Rumanisë. Por gjithçka kalon, fundja ky është futbolli.
Kishte ndodhur ndonjëherë të fitoje përballë të fejuarës rumune?
Kur unë kam qenë pjesë e Kombëtares ajo ka bërë tifo për mua kështu që nuk na kishte rastisur që të vendoseshim përballë. Edhe në ndeshje të tjera ne përgjithësisht jemi tifozë të të njëjatve skuadra.
Çfarë të tha pas ndeshjes?
Ishte e mëzitur dhe vendosi të mos më fliste për pak kohë. Eshtë e kuptueshme pasi në të njëjtën gjendje do të isha dhe unë nëse do të humbte Shqipëria.
A beson se kemi shanse për tu kualifikuar?
Mendoj se po, kemi ende shanse për të besuar te kualifikimi. Përderisa matematika na e lejon ne kemi të drejtën tonë për të mos hequr dorë nga ëndrra.
Po në Rumani si ishte përjetuar?
Është përjetuar keq sepse ata deri në fund besuan te kualifikimi, plus që ka pasur shumë kritika në drejtim të lojtarëve dhe trajnerit. Por futbolli e njeh dhe humbjen prandaj rumunët duhet të pranojnë që Shqipëria e meritoi fitoren.
Deri ku mund të shkoj kjo skuadër?
Me futbollin e sotëm është vërtetuar që nuk ka skuadra të vogla, prandaj mendoj se kemi shumë shanse për të vazhduar përpara” ka thënë Bakaj.