Shëndet

Alarmojnë dermatologët: Ja si po e shkatërroni lëkurën duke bërë selfie

By Egzona Krasniqi

June 21, 2016

Ata që i kanë shumë qejf selfiet, mund të jenë duke i shkaktuar dëm lëkurës së fytyrës. Ekspertët dermatologë thonë se ekspozimi i gjatë dhe i shpeshtë ndaj dritës dhe rrezatimit elektromagnetik të smartfonëve mund të dëmtojë lëkurën, duke përshpejtuar procesin e plakjes. Ata thonë se mund të dallojnë se në cilën dorë e mban smartfonin secili, thjesht duke vërejtur se cila anë e fytyrës është më e dëmtuar.

Gjatë Konferencës së Estetikës Faciale, që u mbajt dje në Londër, ekspertët thanë se drita blu që emetohet nga ekrani i smartfonëve nxit shfaqjen e rrudhave.

Ky fakt nuk është dokumentuar ende, por mjekët ngulin këmbë se valët magnetike të prodhuara nga pajisjet moderne e dëmtojnë lëkurën njësoj si rrezet e diellit, të cilat janë ndër shkaqet kryesore të rrudhave.

Dr. Simon Zokaie, i cili drejton klinikën “Linia Skin Clinic” në Britani, thotë se ata që bëjnë shumë selfie dhe blogerët duhet të shqetësohen.

“Mendoj se në treg ka një boshllëk kur është fjala për produkte që mbrojnë nga ky efekt negativ i pajisjeve moderne. Unë shoh përditë njerëz që pëlqejnë selfiet dhe blogerë, të cilët kërkojnë ndihmën time dhe kam konstatuar se procesi i plakjes është përshpejtuar”, thotë ai.

I pyetur nëse kremi kundër diellit mund të ketë efekt parandalues, ai i është përgjigjur gazetës “Daily Telegraph” se “kemi të bëjmë me një rrezatim me gjatësi të ndryshme vale. Pra kremi kundër diellit nuk ndihmon”./GazetaExpress/