Këshilli i Ministrave ka vendosur që të akordojë 1 milionë Euro shpërblim për ekipin kuqezi pas fitores 1 me 0 me Rumaninë mbrëmë në ndeshjen e fundit të Grupit A në Kampionatin Europian.
Qeveria ka miratuar një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2016 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që do të përdoret për shpërblimet e ekipit Kombëtar të Futbollit.
Pas ndeshjes së djeshme, Kryeministri Rama në një lidhje me Skype me ekipin kombëtar u premtoi atyre pasaporta diplomatike, ndërsa duket se shpërblimin financiar ua kishte lënë surprizë për ditën e sotme.
Shqipëria mundi 1 me 0 Rumaninë, duke shënuar fitore historike për herë të parë në një Kampionat Europian dhe duke shpresur ende për një kualifikim.
VENDIMI I QEVERISE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, zëri “Shpenzime korente”, t’i shtohet fondi prej 1 000 000 (një milion) eurosh, për shpërblimin e Ekipit Kombëtar të Futbollit.
2. Kundërvlefta në lekë e këtij fondi t’i akordohet në formën e transfertës Federatës Shqiptare të Futbollit për t’u përdorur sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Efektet financiare sipas pikës 1 të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA