Kryetari Legjendar, miliarderi i politikës

Kushdo që dëshiron ta blejë punimin e kryetarit të Partisë së Fortë, duhet të jetë miliarder. Visar Arifaj, këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nuk hyn fare në pazar me ata që mund të shtyhen për uljen e çmimit.

“Nën një miliard euro nuk mund ta jap. Ky është pragu i pikturës”, thekson ai, shkruan “Koha Ditore”.

Punimin e vitit 1995 e ka deklaruar si pronën më të çmueshme edhe në formularin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ngulmon se askush nuk mund t’ia mbushë mendjen se çmimi i përcaktuar nuk përkon me vlerën artistike të saj.

“Kaq e kam vlerësuar, sepse mendoj se e ka këtë vlerë”, thotë Arifaj.

“Nuk e kam qitur në ankand se njëherë nuk është në shitje. Ka vlerë shumë të madhe sentimentale, sepse nuk është që po më duhen ato një miliard”.

Ishte nxënës i klasës së parë në shkollën e lagjes “Dardania” në kryeqytet kur mësuesja Fllanza Berisha u kishte kërkuar njomakëve që të vizatonin për profesionet që u pëlqenin. Dhe Arifaj kishte rrokur menjëherë lapsin duke vizatuar një traktor në ara para një shtëpie. Në të nuk ka shofer. Por pranë timonit e ëndërronte veten shofer të rritur.

Temat
LajmeVend

Të afërta