Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore me njësitë vartëse nga drejtoritë rajonale policore, sot ka realizuar një operacion të gjerë policor në të gjitha rajonet e Kosovës me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të veprave të ndryshme kriminale.
Nga aksioni i sotëm janë kontrolluar 29 lokacione të ndryshme, 7 prej të cilave janë mbyllur nga inspektorët komunal si dhe janë shqiptuar gjoba për mungesë të arkave fiskale dhe mungesë të dokumenteve të punës.
“Si rezultat i punës dhe angazhimit të zyrtarëve policor janë arrestuar (5) persona të dyshuar, për posedim të armëve të zjarrit dhe pengim të personit zyrtar në ushtrim të detyrës, raste këto të administruara në nivel lokal policor”, thuhet në njoftim.
Në njoftim të Policisë thuhet se në të gjitha lokacionet ku janë ushtruar kontrolle policore janë legjitimuar edhe 176 femra, nën dyshimin e mungesës së dokumentacionit të punës, ku prej tyre 115 kanë qenë shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi, një e Moldavisë, një e Bullgarisë, ndërsa 58 të tjera shtetase të Kosovës.
“Të gjitha shtetaset e huaja në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, do të trajtohen nga Drejtoria e Migrimit e PK-së, e cila është në proces të administrimit të lendeve në fjalë”, thuhet më tej në njoftim.
Në cilësi të provave material gjatë kontrollit të lokaleve janë sekuestruar: një (1) armë TT me (8) copë municion përkatës, dy shufra,një sprej, një boks i hekurit dhenjë thikë ushtarake.