Reçica krahason Vetëvendosjen me UDB-n

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica ka reaguar ndaj Lëvizjes “Vetëvendosje” lidhur me publikimin e një fotoje ku shihet ai dhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Reçica gjatë seancës së sotme ka akuzuar LVV-në se po tenton ta instalojë logjikën e shërbimit sekret jugosllav (UDB) në Kosovë.

Pas këtyre kritikave, ka reaguar partia e Visar Ymerit. Zëdhënësi i kësaj partie, Frashër Krasniqi në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se i gjithë krimi në rajonin e Ferizajt zhvillohet nën kontrollin e deputetit Reçica.

“Elmi Reçica është një prej njerëzve kryesorë të SHIK-ut në Kosovë. I gjithë krimi në rajonin e Ferizajt zhvillohet nën kontrollin e këtij personi”, ka thënë ai.

Po ashtu sipas Krasniqit, Reçica ka futur agjentë të SHIK-ut në Policinë e Kosovës, në Gjykata, në PTK, dhe gjithandej institucioneve publike.

“Për këto kemi edhe foto të tjera që janë publikuar më herët”, ka shtuar Krasniqi.
Ai gjithashtu ka theksuar se është dikush tjetër që ka instaluar veprimet e shërbimeve sekrete në vend.

“Pra, nëse është dikush që ka instaluar mënyrë të vepruari të shërbimeve sekrete si ato të UDB-së, atëherë ai është SHIK-u, i cili u drejtua nga Kadri Veseli, Elmi Reçica, etj”, ka thënë Krasniqi, raporton Indeksonline.

Po ashtu i pyetur se kush ka realizuar fotografinë e përfolur në të cilën është parë edhe deputeti Elmi Reçica, Krasniqi ka thënë se fotografia është realizuar nga një qytetarë.

“Në foton e fundit, që na u dërgua nga një qytetar që rastësisht kishte qenë duke pirë kafe në atë vend, shihet qartë relacioni shoqëror në mes të Elmi Reçicës dhe kryeprokurorit Aleksandër Lumezi”, ka thënë ai.

Ndër tjerash, Krasniqi ka theksuar se në një shtet ku ka ligj dhe drejtësi, kriminelët duhet të ndiqen nga kryeprokurori.

“Në një shtet ku ka ligj e drejtësi, kryeprokurori do të duhej të ishte duke i ndjekur për t’i burgosur kriminelët si Elmi Reçica, e jo duke zhvilluar raporte shoqërore dhe duke u ndikuar nga ta.

Temat
LajmeVend

Të afërta