AAK: E përshëndesim guximin e njerëzve të shumicës parlamentare për Demarkacionin

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se vlen për tu përshëndetur reflektimi i njerëzve të shumicës parlamentare për Demarkacionin me Malin e Zi.

Nitaj ka thënë për Indeksonline se Demarkacioni është çështje e rëndësisë nacionale, duke e anashkaluar interesin e partive politike.

Ai ka theksuar se çështja është e ndjeshme dhe duhet të ketë një epilog që nuk është në dëm të askujt.

“Vlen për të përshëndetur, nëse guxoj ta quaj, reflektim edhe i njerëzve që janë të shumicës parlamentare. Kemi pasur disa zëra, fillimisht shefi i grupit parlamentar të PDK-së z.Grabovci, ju po më thoni që sot ka deklaruar edhe z.Haliti që çështja e Demarkacionit duhet të rishikohet. Unë besoj që kjo është çështje e rëndësisë nacionale dhe nuk është çështje e partive politike. Ka fare pak rëndësi që AAK e ka nisur e para këtë çështje. Ajo që duhet të ndodhë, që një çështje kaq e ndjeshme duhet të merr një epilog të caktuar, që nuk është në dëmin e askujt, as Malit të Zi dhe as Kosovës dhe secili ta marr pjesën e vet dhe Demarkacioni të shënohet në përputhje me standardet dhe me atë se ku ka qenë kufiri”, ka thënë Nitaj, që është edhe anëtar i kryesisë së AAK-së.

Nitaj është shprehur se nuk ka se cka të rishikohet në Demarkacion, vetëm duhet të pranohet se është bërë keq dhe gabim.

Sipas Nitajt, AAK mund të kthehet në Kuvend nëse ka një gatishmëri të shumicës parlamentare që Demarkacioni të rikthehet në fazën fillestare dhe nëse përfillen kërkesat e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin.

“Çështja e rishikimit të Demarkacionit nuk duhet të abuzohet me të. Nuk ka se çfarë të rishikohet në Demarkacion, mjafton të pranohet se është bërë keq dhe gabim, të rikthehet procesi në pikën fillestare, të bëhet një komision i ri i cilit do të përfill të gjitha kriteret e nevojshme në rast të tilla dhe i cili nuk do të mashtrohet nga kriteri kadastral të cilin pak a shumë e ka kontrbanduar pala malazeze. Nëse ka një gatishmëri të shumicës parlamentare që demarkacionin ta rikthejnë në fazën fillestare dhe nëse ka një gatishmëri të shumicës parlamentare që ta përfill kërkesën, ose qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin, d.m.th janë dy çështje për të cilat AAK ka bojkotuar Kuvendin, atëherë AAK mund ta rishikojë pozicionin e vet dhe të rikthehet në Kuvend”.

Nitaj ka konsideruar se vija kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet të vendoset pa e dëmtuar asnjërën palë.

“Nuk e di nëse mund të flitet për përgjegjësinë e komisionit që e ka caktuar këtë pikë, dhe z.Meha në këtë rast. Sidoqoftë nuk e kemi fare problem që z.Meha duhet të jap përgjegjësi. Për neve ka rëndësi që të zgjidhet çështja e rëndësisë nacionale, që është shënimi i kufirit në mes Kosovë dhe Malit të Zi, por jo në dëm të mijëra hektarëve”, ka theksuar Nitaj.

Ndryshe, i fundit nga shumica parlamentare ka qenë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti që ka kërkuar që Demarkacioni të rishikohet, duke thënë se nuk kalon në këtë mënyrë.

Po ashtu një ditë më herët ka qenë edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci që ka thënë se vija kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi është 5 kilometra në brendi të Kosovës.

Po ashtu nga LDK-ja janë një pjesë e deputetëve që nuk janë pajtuar me caktimin vijës kufitare.

Temat
LajmeVend

Të afërta