Obama e kundërshton retorikën anti-myslimane të Trump

Presidenti Obama ka thënë se retorika anti myslimane nga kandidati i mundshëm republikan për president, Donald Trump, “nuk është Amerika që ne duam”.

Obama ka thënë se trajtimi ndryshe i amerikanëve që janë myslimanë nuk do e bënte këtë vend më të sigurtë. Ai thotë se kjo në fakt do i bënte SHBA-të më pak të sigurta sepse forcon idenë e nxitur nga grupi militant, Shteti Islamik, që thotë se perëndimi i urren myslimanët.

Presidenti amerikan e ka kundërshtuar ashpër premtimin parazgjedhor të Trump për ndalimin e myslimanëve që të hyjnë në SHBA, diçka që kandidati republikan për president e ka përsëritur menjëherë pas sulmit që ndodhi në Orlando.

Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë themeluar mbi të lirinë e fesë dhe se në këtë vend nuk ka teste fetare.

Ai ka shtuar se këto debate i bëjnë myslimanët e Amerikës të ndjehën se qeveria është duke i tradhëtuar ata.

Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë i ka bërë këto komente pasi është takuar me këshilltarët e tij të sigurisë me të cilët ka biseduar rreth rrezikut që vjen nga grupi militant, Shtetit Islamik.

Ai gjithashtu është informuar rreth hetimeve që po zhvillohen për sulmin në një lokal nate në Orlando ku një person që ka shprehur besnikëri ndaj Shtetit Islamik ka vrarë 49 amerikanë dhe ka plagosur shumë të tjerë.

Temat
BotëLajme

Të afërta