Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se janë dy kushte për liberalizimin e vizave për Kosovën: luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, që sipas Ymerit, bën që Kosova të humb 8,200 hektarë tonë.
Por Ymeri thotë se qeveritarët kosovarë përmendin vazhdimisht kushtin e demarkacionit por nuk përmendimin luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, këtë gjë ata e bëjnë për të “sulmuar opozitën”.
Lideri i VV-së thotë se është shumë e mundshme që edhe pas ratifikimit të demarkacionit Kosovën të mos i hiqen vizat.
Postimi i plotë i Ymerit:
Liberalizimi i vizave për Kosovën është i lidhur me dy kushte: 1) luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë; dhe, 2) ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi që na i humbet 8.200 hektarë. Për të qenë edhe më keq se kaq, Kosova është kurthuar në një thes me Turqinë, Ukrainën e Gjeorgjinë. Ky është grupi politik i Kosovës për dallim prej atij futbollistik të kombëtares sonë në kampionatin evropian në Francë.
Mirëpo, qeveria dhe sejmenët e saj e përmendin vazhdimisht vetëm çështjen e nevojës së ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Sepse, kushti i parë për heqjen e vizave e problematizon krimin e korrupsionin qeveritar e institucional, dhe, për shkak se qeveritarët me argatët e tyre duan që me çdo kusht e pareshtur ta sulmojnë opozitën dhe ta mbajnë ofensivën.
Është shumë e mundshme që edhe sikur të ratifikohet demarkacioni në Kuvend sërish të mos na i heqin vizat sepse dihet që askund nuk është në nivel luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë dhe ndodhemi në një grup tejet të vështirë me Turqinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Kjo paraqet një arsye shtesë pse kurrsesi nuk duhet pranuar e ratifikuar ky demarkacion.