“Politikanët kosovarë kanë problem me veshjen pa dallim, sidomos pas orarit të punës. Madje pas orarit nuk i kombinojnë fare si duhet rrobat që veshin. Në raste të shpeshta edhe kur dalin për shëtitje në natyrë nuk ia qëllojnë me veshjen”, kështu i ka vlerësuar veshjet e politikanëve shqiptar, kreatorja e modës Merita Harxhi-Koci, ndërsa ka folur për kolona.al, veç e veç për 10 nga plitikanët më aktiv në Kosovë e Shqipëri.
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi ka përparuar më së shumti, nga të gjithë politikanët. Më kujtohet se si është veshur menjëherë pas luftës, pa shije dhe me një frizurë krejtësisht demode. E tash është politikani që vishet më së miri edhe pse ndonjëherë kam përshtypje që është i ngurtë dhe frikësohet të eksperimentojë me ngjyra.
Kadri Veseli
Kadri Veselit i rrinë teshat mirë dhe në përgjithësi ka një pamje korrekte. Teshat shihen që janë të shtrenjta. Mendoj që ka nevojë të jetë më i guximshëm në kombinimin e ngjyrave. Pas orarit të punës, disa herë e kam parë me tesha që nuk ia ka qëlluar.
Edi Rama
Padyshim që Edi Rama është politikani që më së shumti më pëlqen si vishet. Ndjenja e tij për detaje na tregon që është artist i vërtet. Të gjithëve na kujtohet detaji me lapsat me tri ngjyra, në shenjë solidariteti me francezët pas sulmeve terroriste.
Erion Veliaj
Vishet mirë. Ka një ndjenjë për kombinimin e ngjyrave, por është më pak i guximshëm se Edi Rama.
Lutfi Haziri
Lutfi Haziri nuk më pëlqen si vishet. Thjesht, ka nevojë për këshilla të stilistit.
Shpend Ahmeti
Nuk i kushton shumë kujdes veshjes. Me pak kujdes dhe mund, do të dukej shumë më mirë.
Bexhet Pacolli
Patjetër ka nevojë për stilist. Mëkat është që rrobat e tij shumë kualitative nuk i kombinon si duhet. Me vetëm pak ndihmë, ai do dukej shumë më mirë. Përndryshe, ka shumë shije për orët e dorës. Gjithmonë i ka të mira.
Ramush Haradinaj
Ka nevojë për stilistë. Ka raste kur vishet mirë, por konstrukti i tij i trupit ia imponon, që teshat t’i qepë te rrobaqepësi sipas masës. Figura e tij prej atletit, do të duket shumë më e rafinuar sikur t’i qepen teshat sipas masës së tij.
Albin Kurti
Sa i përket Albin Kurtit, ai e ka look-un e një politikani jo konvencional. Ka raste kur mundohet të duket më mirë, duke i kombinuar setrat me këmisha të bardha.
Fatmir Limaj
E ka një model të veshjes, setër dhe pantallona. I duhet shumë të punojë në dukje dhe stil.