Selektori i Kombëtares Suedeze, U20 për femra, Ola Månsson, sot ka bërë publike listën e emrave të cilat do ta prezantojnë Suedinë në Kampionatin Botëror, i cili mbahet nga data 3 korrik, në Moskë.
Në listën e përfaqësueseve suedeze, ashtu siç edhe është pritur, gjendet hendbollistja shqiptare nga Kosova, Albana Arifi.
Albana qysh para dy javësh ka marrë konfirmimin nga selektori se ajo në secilën mënyrë do të jetë pjesë e Kombëtares Suedeze.
Suedia shkon në këtë Kampionat me qëllim që të arrijë të stoliset me ndonjë medalje, pasi që suedezet llogariten të jenë ndër favoritet kryesore së bashku me Rusinë, Danimarkën, Rumaninë dhe Norvegjinë.
Albana ka qenë pjesë e pandashme e të gjitha përfaqësueseve të Suedisë që nga grupmoshat U15 e deri më tani U20.
Lajmin e bëri të ditur faqja zyrtare e hendbollit suedez svenskhandboll.se.