Tomë Gashi: Liderët po frikësohen nga Gjykata Speciale (Video)

Avokati Tomë Gashi ka deklaruar se ka qenë shumë e qartë që misionit të EULEX-it t’i vazhdohet mandati.

“Meqenëse ka mosbesim total në organet shtetërore dhe në organet e drejtësisë në Kosovë, atëherë, detyrimisht do te kemi misione të huaja që si të tilla janë të dëmshme”, ka deklaruar Gashi në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.

Ai ka thënë se ky mision ka shpenzuar më tepër se një miliard e gjysmë euro dhe rezultati i tyre është jashtëzakonisht i dobët. “Taksapaguesit evropian do duhet të kërkonin llogari prej misionit të EULEX-it se pse ka qenë kaq jo funksional”, ka thënë ai.

Ai ka thumbuar edhe liderët e partive politikë të cilët sot u deklaruan se janë pro vazhdimit të mandatit të EULEX-it. “Ju e dini që se paku sot dy kryetar të partive kanë deklaruar publikisht se ata janë për vazhdimin e misionit të EULEX në Kosovë, ndërsa që te dy kanë pasur probleme me vet sistemin juridik të EULEX-it’, ka thënë Gashi.

“Meqenëse është Gjykata Speciale, të gjithë ata që potencialisht mund të jenë të akuzuar nga ajo, po dëshirojnë me i relaksu raportet me ndërkombëtarët duke menduar t’i shmangën akuzimit të tyre në Gjykatën Speciale”, ka thënë ai.

Gashi ka folur edhe për rastin e klientit të tij Azem Syla. Se cilat janë zhvillimet e fundit në këtë rast dhe sa prej të dyshuarve nuk do të ndiqen më nga organet e drejtësisë ndiqeni intervistën e plotë ku flet edhe për dëshmitarët e mbrojtur e që dikur emrat e tyre ishin publikuar.

Temat
LajmeVend

Të afërta