Sulmet e Ramës dhe Tahirit ndaj gjyqtarëve, Ilir Meta kundër: Mos të dëgjoj nga këto akuza

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta është shprehur kundër sulmeve nga ana e Qeverisë ndaj gjyqësorit, duke marrë për referencë akuzat e bëra gjarë këtyre ditëve nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në adresë të gjyqtarit të Tiranës që pezulloi nga detyra Haki Çakon.

Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, ku foli edhe për reformën në drejtësi, Meta theksoi se të tilla akuza nuk duhet të ndodhin dhe nuk do të dëshironte që të dëgjonte nga këto sulme ndërmjet institucioneve të ndryshme.

“Për fat të mirë nuk kam qenë këtu dhe nuk do të dëshiroja të dëgjoja shkëmbim akuzash midis përfaqësuesve të institucioneve. Ne jemi një vend demokratik, synojmë të forcojmë shtetin e së drejtës”, u shpreh kryeparlamentari i pyetur nga gazetarët.

Dy ditët e fundit, ka patur sulme dhe akuza të shumta ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj që vendosi pezullimin e Çakos, dhe ndaj prokurorëve e gjyqtarëve në tërësi.

Akuzat e Ramës dhe Tahirit kanë bërë që të reagojnë disa herë Unioni i Gjyqtarëve, Unioni i Prokurorëve, KLD dhe Gjykata e Tiranës. Akuzat e Ramës ndaj gjyqtarit të Tiranës shkuan deri në atë pikë sa e quajti një “killer”.

Temat
LajmeRajon

Të afërta