Sekuestrohen derivate dhe mallra të kontrabanduara në Mitrovicë

Njësitet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, në vazhdën e implementimit të planit operativ “Parandalimi i kontrabandës dhe ekonomisë joformale”, kanë identifikuar dhe parandaluar disa raste të shmangies nga taksat doganore me mallra të dyshimta.

“Vetëm gjatë dhjetë (10) ditëve të fundit, në kuadër të këtij plani Policia ka regjistruar disa raste të identifikimit dhe sekuestrimit të mallrave të ndryshme, si: derivateve të dyshuara të kontrabanduara, ku sasia konsiderohet rreth 34 000 litra, derivatet të sekuestruara në dy raste të ndryshme dhe u janë dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë për procedurë të mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Përveç derivateve, deri më tani Policia thotë se ka identifikuar dhe sekuestruar edhe mallra të ndryshme, si pije alkoolike, joalkoolike, produkte ushqimore, tekstil mbi 320 palë (xhinse), ku vlera e mallrave mbetet të përcaktohet nga dogana.

“Bashkë me sasisë e mallrave janë sekuestruar: një maune, një furgon dhe katër vetura tjera në të cilat janë hasur mallrat e dyshuara. Nga rastet e përgjithshme derivatet e naftës vazhdojnë të shënojnë numrin më të madh të rasteve t ë identifikuara deri më tani. Veprimet policore në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, po hasin në rreziqe të vazhdueshme, ku në disa raste persona të dyshuar kanë penguar dhe kanë rrezikuar Policinë dhe automjetet zyrtare, si gjatë kontrollit ashtu edhe në rastet e ndjekjes së automjeteve të dyshuara. Deri më tani janë iniciuar procedura penale ndaj katër personave të dyshuar të identifikuar, ndërsa hetimet po zhvillohen në identifikimin e të dyshuarve të tjerë”, thuhet tutje.

Policia thotë se qasja policore në fushën e parandalimit të kontrabandës do të vazhdojë gjithnjë mbi bazën e autorizimeve policore, në mbështetje dhe në bashkërendim me autoritetet tjera institucionale që kanë autorizime në parandalimin e kësaj dukurie.

Temat
LajmeVend

Të afërta