Kalifornia legalizon me ligj të drejtën për të vdekur

Kalifornia u bë të enjten shteti i pestë në kuadër të SHBA-ve, që i lejon mjekët t’u japin ilaçe pacientëve në gjendje të rëndë për t’i dhënë fund jetës, kur ata vuajnë nga sëmundje të pashërueshme.

Ligji i ri mori shkas nga historia e një 29-vjeçareje nga Kalifronia, Brittany Maynard, e cila vuante nga kanceri, së cilës ju desh të shkonte në shtetin Oregon, për t’u dhënë fund vuajtjeve.

Veterani i ushtrisë amerikane, tani në pension, Matt Fairchild, është bërë ekspert për të mposhtur dhimbjen. Ai vuan nga një tip i avancuar i melanomës, që është përhapur me tumore në tru. Ai është veteran i Luftës së Dytë të Gjirit Persik. Tani përdor rreth 20 ilaçe në ditë për dhimbjet.

Ai e ka të qartë se jeta e tij është vetëm çështje kohe, muajsh, apo ndoshta vitesh. Kjo pasiguri po ja shton traumën emocionale familjes së tij.

“Sa mund të rëndohet gjendja ime? Mund të kem goditje në tru, apo kushedi çfarë. Kjo është e frikshme”.

Terry Petrovich është një tjetër paciente, e cila përpiqet ta shijojë jetën deri në fund. Ajo pa nënën e saj që vuajti për një kohë të gjatë nga kanceri në vezore:

“Nuk zgjohej dot më nga krevati, as për nevojat e saj. Më tha një ditë me dhimbje në shpirt: Po të mund të ngrihesha nga krevati, do të gjeja një armë për të vrarë veten”.

Ashtu sikurse Matt Fairchild, Terry Petrovich është e kënaqur që Kalifornia miratoi vitin e kaluar ligjin e të drejtës për të vdekur. Më 9 qershor ligji hyri në fuqi dhe Kalifornia bëhet shteti i pestë që i lejon pacientët në gjendje të rëndë me sëmundje të pashërueshme t’i japin fund jetës së tyre me ilaçe me recetën e doktorit.

Dr. Lynette Cederquist është mjeke dhe profesoreshë në Universitetin e San Diegos në Kaliforni. Ajo thotë se ligji i Kalifornisë shoqërohet me më shumë mbrojtje për pacientin se sa ligji i Oregonit. Pacientët me sëmundje vdekjeprurëse duhet të konsiderohen në gjendje mendore normale dhe duhet t’i kenë mbetur 6 muaj, ose më pak jetë, që të përfitojnë nga ky ligj.

Ata duhet të shkojnë tek dy mjekë të ndryshëm në një diferencë kohore prej dy javësh për të marrë recetën e ilaçit vdekjeprurës. Ata duhet të jenë të aftë ta marrin vetë ilaçin.

Temat
BotëLajme

Të afërta