Varrezat e dëshmorëve në Klinë, në gjendje të rëndë (Video)

Familjarët janë të indinjuar me gjendjen “jodinjitoze” dhe “skandaloze” të varrezave në kompleksin memorial në Grabanicë, ku prehen eshtrat e dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Klinës.
Pllaka të hequra e të thyera të dyshemesë së memorialit, emra gjysmakë të dëshmorëve nga shkronjat e rëna nga lapidari, mungesë e ndriçimit, varri i përdhosur i një martiri.

Kjo është gjendja aktuale e varrezave ku prehen eshtrat e dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Klinën në kompleksin memorial në fshatin Grabanicë.

Për këtë gjendje jodinjitoze të varrezave flet edhe Rexhep Mërturi, prindi i dëshmorit Ilir Mërturi.

“Po shihen defektet që janë këtu. Shkronjat janë të hequra nga lapidari, pllakat (që veshin varret) janë të larguara dhe të thyera, nuk ka drita fare, nuk ka rrymë, uji (pishina e lapidarit) nuk është sikur është dashtë të jetë. E këto janë që mungojnë”, thotë Mërturi.

Sipas Mërturit edhe gjendja e flamujve kombëtarë është e turpshme. Sipas tij flamujt janë të shqyer dhe nuk ndërrohen nga organet kompetente komunale.

Ai ka vërejtje edhe për planin e memorialit, i cili, sipas tij nuk është plani që ishte në maket.

Mërturi tregon se për këto varreza nuk është bërë pranimi teknik.

“Këtu nga fillimi puna nuk është bërë siç duhet. Edhe pranimi teknik i varrezave nuk është bërë në mënyrën e duhur nga Komisioni. Atje poshtë hyrja e varrezave ka pasur të shtrohet në kubëza dhe ajo nuk është bërë”, shtoi Mërturi.

Edhe pse në lapidarin e dëshmorëve të Klinës ekziston mbishkrimi se ky kompleks memorial është për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, KALLXO.com evidentoi disa varre me vitet e vdekjes 1990, 2000 dhe 2001.

Babanë e dëshmorit Ilir Mërturi e mundon ky fakt. “Se a e meritojnë apo nuk e meritojnë (statusin e dëshmorit), unë nuk mund ta them ketë. Por se a ka njerëz që janë te varrosur këtu pa statut dëshmori, ka njerëz që janë te varrosur këtu pa statut të dëshmorit”, tha Rexhep Mërturi.

Ndërsa, në hapësirën e këtij kompleksi që është i rezervuar për martirët dhe viktimat civile, është një varr që të tërheqë vëmendjen. Nga larg duket si i hapur.

Ky është varri i martirit, Valon Borinca, i cili për dallim nga varret e tjera nuk ka pllakë mbuluese. Edhe pllaka e drurit është pa shkronja, gjë që e bën të pamundur t’i lexohet emri.

E dëshpëruar me trajtimin e varrit të djalit të saj të vrarë nga forcat serbe shprehet nëna e te ndjerit, Miradie Borinca.

Sipas saj, që kur djali i saj është rivarrosur në varrezat e dëshmorëve, vetëm varri i tij ndryshon nga varret dhe lapidarët e tjerë të martirëve.

“Nga momenti i rivarrosjes ky (varri i djalit) ka mbetur në ketë gjendje. Të gjitha varret i kanë rregulluar ndërsa ka mbetur pa pllakë, pa lapidar. Lapidarin e ka pasur edhe ai është shlyer. Sa here e vizitojmë mundohem të ja rregullojmë”, u shpreh ajo.

Miradie Borinca thekson se sa herë që sheh varrin e djalit të saj në atë gjendje ndërsa varret e tjera të rregulluara, ndien se bota është kundër djalit të saj të vrarë.

“Si e ndjej unë veten më keq nuk ka. Po më duket se të gjithë e kishin pasë inat burrin dhe djalit tim inat, ashtu po e ndjej veten”, tha ajo.

Borinca deklaron se disa herë u është drejtuar organeve komunale për rregullimin e varrit të djalit të saj por se ata nuk kanë ndërmarr asgjë.

Në këto rrethana, ajo thotë se ndonëse e ka gjendjen ekonomike mjaft të rëndë do ia rregullojë me mjetet e saj varrin të birit nëse këtë nuk e bëjnë autoritetet komunale.

“Duhet diçka me bërë. Dikush thotë se nuk ju lejojnë që të reagoni me mjetet e juaja edhe nëse ju dëshironi. Por unë diçka duhet të veproj t’i bëj pllakën djalit”, tha ajo.

E kontaktuar nga KALLXO.com, kryetarja e Familjeve të Dëshmorëve, Baftie Haliti, përmes telefonit deklaroi se gjendja e varrezave të dëshmorëve është skandaloze.

Ajo tha se në mënyrë të vazhdueshme u është drejtuar organeve komunale për rregullimin e varrezave të dëshmorëve, mirëpo sipas saj organet komunale janë arsyetuar me faktin se nuk ka mjete.

Baftie Haliti thotë se përderisa Komuna ka mjete për të punësuar punëtorë të rinj, është i pakuptueshëm fakti se nuk ka aq pak mjete për rregullimin e tyre.

Në anën tjetër, Enver Berisha, nënkryetar i Komunës së Klinës, thekson se Komuna është në dijeni për gjendjen e varrezave në fjalë dhe së shpejti do të shpallë tenderin për rregullimin e të gjitha problemeve në varrezat në fjalë.

“Te lapidari janë disa shkronja që kanë rënë, jo si pasojë e ndonjë dhune apo tendence të dikujt por vetvetiu dhe ato shkronja ne i kemi siguruar. Me hapjen e tenderit ato shkronja do të vendosen, do të rregullohen ato varre dhe ambienti prapë në varreza, varësisht sa do të na marrë kohë procedura e tenderimit ”, tha Berisha.

Rreth varrit të martirit Valon Borinca, nënkryetari i Komunës thotë se ai ka mbetur në atë gjendje për arsye se rivarrimi i tij në varrezat e dëshmoreve ka ndodhur më vonë.

Në fund Enver Berisha thekson se ky varr do të rregullohet në kuadër të tenderit që do ta shpallë komuna brenda vitit 2016.

Temat
LajmePërgjithshmeVend

Të afërta