Thaçi në Bruksel: Kosova ka islam evropian

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjëratë publike në “Këshillin Evropian për Punë të Jashtme” (EFCR), ku ka folur për të arriturat dhe sfidat e Kosovës dhe të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian është në një udhëkryq të madh. BREXIT, vala e refugjatëve nga Azia dhe Afrika, ekspansioni i ri rus që ka shkaktuar krizat si ajo në Ukrainë, kërcënimet që vijnë nga radikalizmi – politik dhe fetar, terrorizmi… lista e shqetësimeve është bukur e gjatë për kontinentin tonë”, e nisi prezantimin e tij presidenti Thaçi.

Në ligjëratën e tij në ECFR, presidenti Thaçi tha se komunikimi është normalitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se tani është koha për një hap të ri të ndërtimit të besimit mes popujve dhe shteteve, por edhe ndërmjet rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

“Kosova, si dhe mbarë rajoni, është shumetnike dhe shumfetare. Vërtetë kemi shumicë që i përket fesë islame. Por, është ky një islam evropian, që promovon tolerancë, bashkëjetesën dhe paqen, ashtu siç ka bërë për shekuj të tërë. Kjo vlerë e Kosovës dhe e rajonit, është vlerë edhe për Evropën”, tha presidenti Thaçi.

“Është e rëndësishme që BE të mbetet e angazhuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit. Vonesat e BE-së që t’i shtrijë dorën Ballkanit Perëndimor u hapin rrugë ideologjive të tjera, nacionaliste apo fetare”, sqaroi presidenti Thaçi. “Kosova është një rrëfim suksesi, por nuk është ende storie e përfunduar. Kemi edhe shumë rrugë për të bërë, por jemi në rrugë të drejtë”.

Temat
LajmeVend

Të afërta