Ministri Valon Murati priti hendbollisten e suksesshme shqiptare

Ministri Valon Murati priti hendbollisten e suksesshme shqiptare, Albana Arifi.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, priti në zyrën e tij Albana Arifin, 20-vjeçaren e cila jeton në Suedi, e që në karrierën e saj ka disa medalje nga ngjarje të mëdha sportive, si pjesë e përfaqësueses suedeze në hendboll.

Nga mediet suedeze, Arifi, me nofkën “bombarduesja”, karakterizohet si një talent i rrallë, ndërsa luan në ligën elite të Suedisë dhe është pjesë e përfaqësueses U-21 të shtetit suedez.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, u shpreh i kënaqur me vizitën e Albana Arifit në zyrat e Ministrisë së Diasporës, ndërsa e përgëzoi për suksesin e arritur duke i dhuruar në shenjë mirënjohjeje edhe Pullën e Diasporës.

“Sukseset e shqiptarëve në diasporë janë evidente në shumë fusha, si kulturë, politikë, art, shkencë. Suksesi i Albanës duhet të na motivojë që edhe ne në Kosovë të vazhdojmë të punojmë me moshat e reja dhe të jemi kompetitivë në arenën botërore”, tha ministri Murati. Ai i uroi Albanës suksese në kampionatin e sivjetmë botëror, të U-21 në hendboll.

Në anën tjetër, Albana Arifi u shpreh e emocionuar dhe e falënderoi ministrin Murati për pritjen që iu bë në Ministrinë e Diasporës, ndërsa u shpreh krenare që e përfaqëson kombin shqiptar në të gjitha sukseset që është duke i arritur.

Albana Arifi, vitin e kaluar, ishte pjesëmarrëse e Lojërave Olimpike për të rinj, që u mbajt në Kinë, ndërsa me përfaqësuesen e Suedisë ishte e treta, duke u stolisur me medaljen e bronztë.

Temat
SportVend

Të afërta