Tramezzani: Do të luajmë me zemër

Zv/trajneri i Kombëtares Shqiptare, Paolo Tramezzani ka folur për eksperiencën e tij me Shqipërinë në “Euro 2016”. Në një intervistë dhënë për Radion “Lazio Style”, numri 2 i stolit të Shqipërisë ndalet fillimisht te faza përgatitore duke theksuar se gjithçka po ecën sipas parashikimeve.

“Kjo është hera e parë që ndodhemi në europian dhe emocionet janë të mëdha. Berisha dhe Cana? Etriti është shumë i rëndësishëm për ne, madje shumë herë është shfaqur vendimtar, ndërsa Loriku është simboli i kësaj skuadre”, nënvizon ndihmësi i trajnerit De Biasi.

Në vijim të intervistës, Tramezzani e pranon se Cana ka kaluar disa probleme fizike, por shton se kjo nuk do ta pengojë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Tramezzani shprehet gjithashtu se mungesa e eksperiencës mund të jetë problemi më i madh për Kombëtaren Shqiptare.

“Jemi kualifikuar në europian pasi kaluam skuadra shumë të forta. Shqipëria i ka përmirësuar ndjeshëm paraqitjet gjatë muajve të fundit sepse luan me zemër dhe grintë duke mbuluar edhe limitet teknike. Skuadra nuk duhet t’i humbasë këto cilësi edhe në ndeshjet e ardhshme”.

Temat
BotëSport

Të afërta