Shqiptarët dhe “Nëntori i Katërt”

Shkruan:Fadil Lepaja

Kosova, edhe Shqipëria, përfshirë edhe shqiptarët “jashtë Atdheut”, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane duhet edhe njëherë të shpallin pavarësinë. Kësaj radhe (sërish) nga Turqia. Përderisa pavarësinë nga Serbia e kemi shpallur së paku tri herë – përfundimisht më 17 shkurt 2008 – dhe ky proces ende nuk është finalizuar me njohje reciproke, Kosova dhe pjesët e tjera shqiptare, në emër të “ndihmës vëllazërore”, pa e hetuar as vet, u ripushtuan nga Turqia jo vetëm financiarisht po edhe ideologjikisht e politikisht. Krejt kjo i ka sjellë shqiptarët të ndodhen të hutuar, në një udhëkryq civilizues kur jo vetëm te të tjerët, por edhe te ne vet janë hapur dilema rreth vlerësimit jo vetëm të tashmes dhe të ardhmes, por edhe rivlerësimit të së kaluarës.

Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi ndodhen në një fazë vendimtare në të cilën do të faktorizohen përfundimisht në rajon sikur një epiqendër e riorganizimit rajonal, ose do të dëshmojnë se nuk kanë vizion dhe fuqi për të artikuluar dhe për të formësuar dhe vënë në veprim potencialet e veta në institucione dhe politika evropiane. Ose, do të mbeten përherë monedhë me të cilën kontinentet do të bëjnë pazar në dyert jugore të Evropës.

Ndoshta duket shumë pretencioze, folklorike, e ndoshta edhe tepër idealiste rilindja shqiptare për këtë kohë kur çdo gjë shqiptare nuk duket se ka aq vlerë këmbimi në tregun kontinental dhe global të vlerave. Për të dokumentuar çdo gjë shqiptare, madje edhe patriotizmin e dikujt, sot duhet të thirresh së paku në një autorë të huaj, apo në rastin më të keq së paku në ndonjë zyrtar të huaj. Në rastin më të mirë – perëndimor. Sistemi ynë i vlerave është në kaos dhe vetërespekti në nivelin më të ultë ndonjëherë.

Edhe pse gjithnjë në këto hapësira. asnjëherë deri në këtë shekull shqiptarët nuk u faktorizuan, nuk u ngritën në këmbë me kaq vrull dhe potencë me të cilën jo se i trembën të gjithë fqinjët përreth, po e trembën edhe vetveten. Kjo energji rinore, edhe pse shpeshherë e keqpërdorur, apo edhe e dezorientuar nga projekte globale apo rajonale, e shënoi fundshekullin e kaluar dhe fillimin e këtij mileniumi në regjion kur çështja shqiptare u shtrua mbi tavolinat ndërkombëtare dhe ato rajonale. Ajo që duket qartë është se më askush nuk është indiferent ndaj faktorit shqiptar dhe se loja e përçarjeve, qoftë në baza fetare apo regjionale, është zhveshur krejtësisht, dhe pa vellon e mistershme dhe fatalisht tërheqëse të konspiracionit e ka humbur edhe fuqinë.

Kjo potencë, kjo frikë nga faktorizimi shqiptar, ka bërë që ideologët e rikthimit triumfal në Ballkan, qoftë nga Ankaraja apo nga Beogradi, të luajnë lojërat e tyre imperiale me shqiptarët duke i organizuar për agjenda joevropiane, qoftë për t’i rimarrë nën sqetull si shpresojnë, apo edhe për t’ua ofruar vetë pasi të dëshmojnë se shqiptarët nuk dinë të vetëqeverisen, se janë mafiozë, ekstremistë islamikë apo anarkistë.

Do të pyeteni se çka mund të ofrojnë shqiptarët, të ndarë në pesë shtete në Ballkan, pa numëruar këtu Greqinë dhe Turqinë, ku në të parën faktori shqiptarë është shuar përmes një gjenocidi të tmerrshëm pas Luftës së Dytë Botërore, sikurse kishte ndodhur më parë me shqiptarët e Nishit, Leskovcit e Vranjës pas shpalljes së pavarësisë së Serbisë më 1878, kur me qindra e mijëra shqiptarë, përpara bajonetave “çlirimtare” serbe, që po formonin shtetin e tyre nacional, ikën duke lënë prapa vetës gjithçka – përpos asaj që mundën të ngarkojnë në qerret e tyre të drunjta apo në shpinë të kuajve dhe mushkave. Mbijetuan vetëm legjendat e gjysheve dhe toponimet e vjetra të cilat ua vumë vendbanimeve të reja në Kosovë.

Fatin e njëjtë përgatitën edhe për Kosovën, duke larguar me dhunën e cila e tmerroi botën e qytetëruar, dy të tretat e popullsisë, dhe kjo po ndodhte në vitin 1999, vetëm një vit pa u mbyllur mileniumi përgjatë të cilit asnjëherë nuk kishim qenë të lirë.

Kështu mohohen miliona shqiptarë në Turqi, të cilët nën frymëzimin e rilindjes globale të shqiptarëve (sporti, kultura, shkenca, humanizmi) po tregojnë se ende ndihen gjallë, por po bëhen përpjekje të mohohet edhe identiteti i miliona shqiptarëve nëpër botë, jo vetëm duke e ndaluar atë si në Turqi, por duke i satanizuar ata para medias globale si terroristë apo krijues të problemeve dhe duke sugjeruar se çdo identitet tjetër është më i përballueshëm dhe më komod për shqiptarët sesa të qënit shqiptar.

Sot, qindra e mijëra shqiptarë në Greqi të rikthyer në formën e emigrantëve ekonomikë, pastaj në Itali apo Zvicër e gjetiu, satanizohen si kriminelë, mafiozë, duke e identifikuar një popull me potencë të jashtëzakonshme me banda kriminelësh, të cilat i kanë edhe të gjithë popujt fqinjë dhe të cilat janë po aq të frikshme sa ato shqiptare. Disa qindra mijëra qytetarë të ndershëm që punojnë me djersën e ballit, për të mundur varfërinë nga e cila ikën në vendet që sundohen nga oligarkë orientalë, identifikohen me kriminelë dhe krijues problemesh të cilët janë jo më shumë se të popujve të tjerë të rajonit,për asnjë arsye tjetër përpos frikës nga potenca shqiptare dhe nga orientimi euroatlantik i tyre që rrezikon agjendat neoimperiale dhe ato ideologjike autoritare që pretendojnë Evropën nga Azia autoritare.

Çka mund të ofrojnë shqiptarët pra, të sunduar nga klane oligarkësh, udhëheqës të mbërthyer në grupe rajonale të interesit, që vijnë kryesisht nga vende që e kishin sunduar dikur regjionin dhe që synojnë prapë të bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që shqiptarët me vështirësi vetëqeverisen përmes sistemit demokratik i cili formalisht është instaluar por që edhe më vështirë funksionon pasi që është “kapur”, është marrë peng nga klanet dhe nga informaliteti? Do të thoni, mirë na bëhet, se e kemi hak?! Do të vetëfajësohemi apo me mazohizëm do ta ftojmë dikë më të fortë të vijë e të na qeverisë dhe të na dënojë madje pasi vet nuk arrijmë?!

Çka mund të ofrojnë Shqiptarët institucionalë (këtu mendoj në Kosovën dhe në politikën shqiptare në rajon) apo thënë ndryshe, çka po ndodhë me shqiptarët të cilët përjetuan gjithë këto turbulenca përfshirë një thyerje shteti më 1997, një spastrim etnik më 1999, apo edhe armata tjera çlirimtare, kopje të UÇK-së nëpër regjion?

Si është e mundur që me gjithë këtë (auto)destruksion, me gjithë këtë “hemorragji” kombëtare, “rrjedhje gjaku w edhe truri”, prapë mbetemi një popull vital, dinamik, me potencë të jashtëzakonshme nga i cili pretendentët imperialë duan ta rikthejnë në klishetë e vjetra, me “paketime” të reja ideologjike sikurse ato fetare, apo kriminale?

Çka po ndodhë me shqiptarët të cilët botës i dhanë një pjesë të madhe të potencialit të saj akademik, të afirmuar nëpër universitete botërore, nëpër akademi madje, apo nëpër fushat globale të artit, kulturës dhe sportit, dhe të mbetur vet në Mesjetë me liderë të hutuar të cilët shpërlajnë trurin dhe paratë nëpër tezgat mesjetare portative që janë hapur në dyert e kontinentit të vjetër? Çfarë bëjnë akademitë tona, këto azile pleqsh, që marrin pensione nacionale duke folur në gjumë.

Përfundimisht, të gjitha pavarësitë janë zhvlerësuar, duke u hedhur sërish në përqafim të pakushte të ish-qendrave imperiale, motivacion se nuk qëndrojmë vet në këmbë. Shqiptarët duhet të rishpallin pavarësinë. Duhet të mësohen të jetojnë të lirë dhe të pavarur dhe si të tillë të bashkëpunojnë me fqinjët dhe të tjerët. Duke qëndruar në gjunjë, kemi humbur besimin se na mbajnë këmbët tona dhe kemi kërkuar vazhdimisht paterica, kështu që na i kanë ofruar të parët ato të vjetrat me të cilat jemi mësuar.
Shqiptarët duhet të shpallen autonomë dhe të shpalosin vizionin e tyre marrëdhënie të reja, për heqjen e të gjitha barrierave me fqinjët. Të përtërijmë skenën politike me një gjeneratë të re politikanësh dhe ideatorësh të cilët nuk jetojnë me frikën nga fqinjët dhe nga e kaluara, as me komplekset që ajo na i la të inferioritetit, por të kemi vetëbesim dhe të rindërtojmë marrëdhëniet me fqinjët, përfshirë serbët, maqedonasit dhe turqit mbi baza të reja euro-atlantike, ku civilizimi shqiptar ofron një model të shkëlqyer të bashkëjetesës së kulturave dhe besimeve.

Kur kjo formësohet në një model politik të frymëzuar nga ai evropian, të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes popujve të lirë dhe të individëve të lirë, kjo do të faktorizojë përfundimisht shqiptarët si frymë dhe politikë (euro)integruese. Ne duhet t’i ndihmojmë ata të rikthejnë vetëbesimin se mund të jetohet edhe si popuj të lirë, në shoqëri të popujve të lirë, dhe mund të realizojnë të gjitha ambiciet e tyre individuale dhe kolektive. Pra, të kuptojnë dhe pranojnë se Evropa nuk është një arenë e re ku mund të realizojnë ambiciet mesjetare, imperiale, por një bashkësi e popujve të lirë ku mund të zhvillojnë të gjithë vetveten, në bashkëpunim me të tjerët, e jo në luftë me ata.

Pra, ishte 28 Nëntori 1443, pastaj 28 Nëntori 1912, pastaj ishte 17 shkurti 2008! Tash, i bie të jetë nëntori i katërt apo i tretë? A mund të “quhet” shkurti si nëntor me këtë rast?

Sidoqoftë, shqiptarët duhet të ngritën në këmbë dhe të shpallin një pavarësi përfundimtare nga të gjitha qendrat imperiale, sepse të gjunjëzuar nuk mund të hyjnë në shoqërinë e popujve të lirë, por do të mbeten vazhdimisht, jeniçerë, mercenarë, vetëm monedhë për kusuritjet globale dhe rajonale!

Temat
Opinione

Të afërta