De Biazi: Jam Italian por tifozë i Shqipërisë

Kiara Sofia De Biazi ndoshta është ndër të vetmet tifoze që në këtë Evropian do të ‘tradhtojë’ kombin e saj për të mbështetur Shqipërinë.
Vajza e trajnerit Gianni de Biasi, Kiara Sofia e thotë hapur se do të bëjë tifo për kuqezinjtë dhe babanë e saj teksa ata do të takohen me historinë.

Në një rrëfim ekskluziv për ‘Panorama Sport’, bukuroshja Kiara Sofia tregon De Biasin jashtë fushe. Ajo flet për raportin special që ka me trajnerin, por edhe sa e njeh Shqipërinë dhe historinë e saj.

24-vjeçarja tregon gjithashtu disa nga sekretet e babait të saj, si dhe lojtarët që do më shumë e emocionet me të cilat e ka pritur Europianin.

Për fat të keq, ajo nuk do të jetë në Francë sepse e pengon sezoni i provimeve, por do t’i shikojë të gjitha ndeshjet. Premton se do t’i shohë të gjitha me të ëmën, Paola.

Kiara Sofia e njeh mjaft mirë historinë e Skënderbeut, ka qenë në Tiranë, por ka na plan të bëjë sërish një udhëtim në jugun e Shqipërisë.

‘Pipi Çorapegjata’, siç e quan De Biasi, zbulon se trajneri ynë mban një bllok shënimesh ku bën formacione të ndryshme dhe mban informacione mbi lojtarët kuqezinj. Largësia dhe koha që kalojnë pa njëri-tjetrin e ka bërë më të fortë lidhjen dhe u ka dhënë vlerë momenteve kur janë bashkë.

Tani që është e rritur e ndien më pak largësinë, por kur ka qenë e vogël priste me padurim ditën e hënë që të hidhej në krahët e babait të saj.

Kiara Sofia, si është raporti yt me babanë?

Kam raport special me tim atë. Kur unë isha e vogël, ai qëndronte shumë kohë larg për shkak të punës dhe unë e prisja me padurim kur vinte. E hëna ka qenë një ditë e bukur për mua sepse atëherë ai vinte në shtëpi, pasi kishte pushime dhe qëndronim bashkë edhe me mamanë. Edhe tani nuk rrimë shumë kohë bashkë, por mundohemi t’i shfrytë- zojmë sa më mirë momentet kur takohemi.

Është e vështirë të qëndrosh larg tij?

Tani jam rritur dhe nuk e ndiej shumë faktin që është larg sepse flasim nëpërmjet rrjeteve sociale. Tani që takohemi më rrallë, koha që kalojmë bashkë merr edhe më shumë vlerë. Mundohemi të kënaqemi. Unë flas gjithmonë me të dhe ai më ka thënë se nëse kam probleme, do të gjendet pranë meje.

Meqë jemi te teknologjia, babai yt ka vendosur si foto profili të “What’s app”-it një foto me ty. Po ti, ke shumë foto nëpër rrjetet sociale me të?

Po. Edhe unë kam shumë foto në “Facebook” dhe në “Instagram” me të. Janë momente të bukura kur kemi shkuar në plazh ose në ndonjë vend tjetër.

Gianni të thërret në emër apo ke ndonjë nofkë?

Më thërret në mënyra të ndryshme. Kur isha i vogël, më quante “Pipi Çorapegjata”, ose “ylli”. Ka qenë gjithmonë shumë i lidhur me mua. Ai tregoi se si trajner është i zoti.

Na trego pak si është si baba?

Im atë së bashku me nënën time janë personat më të rëndësishëm të jetës sime. U jam mirënjohëse për gjithçka kanë bërë për mua dhe çdo ditë mendoj sa me fat jam që kam këta prindër. Ndoshta po përsëris veten, por ai ka qenë gjithmonë prezent kur unë kam pasur probleme dhe momente të vështira. Kam festuar bashkë me të edhe momentet e bukura. Ai është shembull i qartë për të treguar se me sakrificë dhe vendosmëri mund të realizosh ëndrrat. Më ka mësuar si të rritem dhe të arrij objektivat e mia në jetë me ndershmëri dhe punë.

Ke qenë ndonjëherë në Tiranë?

Po. Kam qenë në tetor, me rastin e nderimit të tim eti me titullin “Honoris Causa”.

Si t’u duk Tirana?

Më pëlqeu shumë qyteti. Mendoj se shumë shpejt do të vij sërish në Shqipëri, por këtë herë jo vetëm për të qëndruar në Tiranë. Dua të shkoj në jugun e Shqipërisë dhe të shoh qytete si Vlora dhe Gjirokastra. Më kanë thënë se edhe në Butrint është bukur.

Çfarë njeh mbi Shqipërinë?

Nga aspekti historik, e njoh mjaft mirë historinë e Heroit Kombëtar, Skënderbeu. E kam studiuar në shkollë.

Si është raporti që ke me futbollin?

Për të thënë të vërtetën, e ndjek shumë pak futbollin. Bëj tifo për skuadrat në të cilat punon babai im dhe nuk jam “besnike” e një ekipi. Kur ai punonte në Shqipëri, i shihja të gjitha ndeshjet në televizor, ose në stadium.

Po tani, i sheh ndeshjet e Shqipërisë?

Po, i shoh të gjitha me miqtë e mi dhe me mamanë duke bërë tifo për Shqipërinë. Kjo është hera e parë që Shqipëria dhe babai yt do të luajnë një Europian.

Si është përjetuar në shtëpinë tuaj diçka e tillë?

Ai bashkë me lojtarët e tij kanë realizuar një ëndërr të madhe. Kualifikimi për në Europian është diçka fantastike. Tani mendoj se do të bëjnë gjithçka për të vazhduar ëndrrën. Dua t’u uroj shumë fat.

Ka qenë i emocionuar babi?

Ka qenë shumë. Ndihej një klimë e tensionuar ndonjëherë. Edhe pse fizikisht ndodhej në shtëpi, me mendje ishte në Francë me dëshirën për të bërë akoma histori.

A do të shkosh në Francë për të ndjekur ndeshjet e Shqipërisë?

Unë studioj për mjekësi dhe për fat të keq gjatë muajit që do të luhet Europiani unë do të kem sezonin e provimeve dhe nuk mund të shkoj dot në Francë. Sigurisht që do t’i shoh të gjitha ndeshjet në shtëpi me miqtë e mi ashtu siç kam bërë në eliminatore… dhe shpresoj të sjell fat.

Do të bësh tifo për Shqipërinë apo për Italinë?

Sigurisht që për Shqipërinë. Do të ndjek edhe ndeshjet e Italisë, duke qenë se janë në grupe të ndryshme. Forca Shqipëri!

Po futbollin në Itali e ndjek? Për kë skuadër bën tifo?

Për asnjë. Jam gjithmonë me ato ekipe ku punon babi.

Gjatë këtyre ditëve u bë një debat i madh mbi lojtarët që trajneri ynë do të merrte në Francë. Katër prej tyre nuk morën ftesë, po mami yt mori ftesë për t’u “grumbulluar”?

(Qesh) Babi kërkon gjithmonë të na ketë pranë dhe do të ketë shumë nevojë për mbështetjen tonë. Mendoj se nuk do të “grumbullohemi”. Mendoj se lojtarët janë më të rëndësishëm se ne në fushën e lojës (qesh). Ne do të bëjmë detyrën tonë jashtë fushe duke e mbështetur.

I njeh lojtarët e Shqipërisë, mund të më përmendësh disa prej tyre?

Mendoj se njoh mjaftueshëm. Disa prej tyre janë të famshëm si Berisha, Cana, Xhaka, Hysaj, Mavraj dhe Gashi…

Nga i ke mësuar?

Kam shfletuar blloqet dhe shënimet që mban babi në lidhje me lojtarët e Shqipërisë. Aty ka shumë formacione dhe kam mësuar emrat e lojtarëve.

A ka babi yt një lojtar që e konsideron si pikë të dobët te Shqipëria?

Nuk bën dallime të tilla edhe në diskutimet në rrethet miqësore. Kam kuptuar që ai vlerëson shumë lojtarët që japin shpirtin në fushë dhe i do ata që sakrifikojnë dhe punojnë.

A është aventurier De Biazi jashtë futbollit, sepse në futboll nuk bën shumë eksperimente dhe luan gjithmonë me të njëjtin formacion?

Për pjesën e futbollit nuk di çfarë të them, por ndoshta bën mirë sepse ka pasur rezultate pozitive. Sa për pjesën jashtë futbollit, atij i pëlqejnë shumë udhëtimet, sfidat. Është i apasionuar pas biçikletës.

Ke një mesazh për të?

Babi im i dashur, të uroj emocionet më të bukura në këtë Europian. Ti i meriton të gjitha. Të uroj fat! Forca Shqipëria

Temat
BotëSport

Të afërta