Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Besim Guda, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi dyshohet se një aparat me vlerë prej 55 mijë eurosh e ka paguar pa u testuar nga komisioni pranues i spitalit të Gjilanit.
Ai po ashtu në aktakuzë të ndarë po akuzohet se ka vendosur një kompani në oborrin e spitalit dhe se po e lejon të shfrytëzojë tokën në mënyrë të kundërligjshme, shkruan sot Koha Ditore.
Përveç Gudës aktakuzë është ngritur edhe kundër zyrtarit ligjor të këtij institucioni Hazir Hazirit.
Dyshimet e prokurorisë janë se Guda dhe Haziri kanë keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që kanë lejuar pagesën e një aparature pa u bërë pranimi teknik i mallit.
Ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Gjilan. Kryeprokurori Jetish Maloku ka konfirmuar vetëm se është ngritur aktakuzë.
Ndërsa sipas informacioneve shumë të sigurta brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan, edhe ndaj ish- drejtorit të këtij spitali regjional, Abdylatif Latifi është ngritur aktakuzë për veprën penale, “shpërdorim i detyrës zyrtare”.
Ndryshe kjo është aktakuza e dytë ndaj të njëjtit, për shkak mosrespektimi të dispozitave ligjore mbi procedurat tenderuese, e duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm një kompanie private.