Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht thirrjes për takim të përbashkët ndërmjet tri partive opozitare, e cila është kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, respektivisht kryetari Visar Ymeri.
Anëtari i kryesisë, njëherësh zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për Indeksonline ka thënë se është pro takimit të përbashkët opozitar, mirëpo, të specifikohen tema për çfarë do të diskutohet.
“Është e vërtetë që s’ka asnjë telashe as me Visarin as me askënd tjetër të takohemi. Por varet për çfarë teme do të diskutohet”, ka thënë ai, duke shtuar se Marrëveshjet për ASK-në dhe Demarkacionin nuk janë çështje partiake dhe do të kenë kundërshtim të fuqishëm.
“Boshti opozitarë AAK dhe Nisma janë bashkë me këdo qoftë që e ka pozicione kundërshtuese ndaj këtyre marrëveshjeve”, është shprehur ai.
Më tej, Nitaj nuk ka hedhur poshtë veprimin e AAK-së për tu kthyer në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç ka konfirmuar dje Lëvizja “Vetëvendosje”.
“Njëherë për njëherë nuk kemi qëndrim për tu kthyer. Ndërsa çështja e Vetëvendosjes për tu kthyer është vendim i tyre pasi janë partia autonome dhe vendosin për vendimeve e veta”, është shprehur ai.