Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi do të marrë pjesë nesër në Forumin Ekonomik të Vjenës që organizohet nga Oda Ekonomike e Austrisë. Para bizneseve austriake ai do të prezantojë mundësitë për investime në Kosovë në sektorin e bujqësisë.
Postimi i plotë:
“Nesër, me ftesë të Odes Ekonomike Federale të Austrisë do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku para shumë përfaqësuesve të bizneseve nga Austria do të prezantoj mundësitë për investime në bujqësi në vendin tonë. Në këtë forum për mundësitë e investimeve në Kosovë do të flasin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe ministrat Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Blerand Stavileci. Në Kosovë tashmë ka disa kompani të mëdha nga vende të ndryshme të Evropës që kanë nisur të investojnë në Kosovë në sektorin e bujqësisë. Një e tillë u konfirmua edhe para një jave për përpunimin e perimeve. Me potencialin që ka në disa nënsektorë besoj se bujqësia do të jetë një fushë e rëndësishme e interes për investitorë nga jashtë. Përveç prezantimit para pjesëmarrësve do të kem dhe disa takime me përfaqësues të disa kompanive që kanë shprehur interesim të mësojnë më në detaje për gjendjen dhe potencialin e bujqësisë në vendin tone”, ka shkruar Krasniqi.