Kocias sot në Tiranë, çamët e presin me protestë

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kocias, do të nisë sot një vizitë jo të lehtë dyditore në Tiranë, ndërsa përfaqësues të komunitetit çam po protestojnë para Ministrisë së Jashtme nën moton “Unë jam shqiptar i Çamërisë, unë ekzistoj”.

Protestuesit kanë bllokuar trotuaret në të dy anët e rrugës, me pankarta në duar, me anë të cilave kërkohet heqja e ligjit të luftës dhe njohja e të drejtave të popullsisë çame.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë njoftoi dje se “Më datë 6 qershor 2016, ora 10:00, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, do të presë në MPJ, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias (Kocias)”. Në përfundim të takimit, të dy ministrat do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ndërkohë, shoqata “Çamëria” dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cilësuan si absurd qëndrimin e Ministrisë së Jashtme greke se çështja çame nuk ekziston. “Nesër, në orën 8:30 i bëjmë thirrje çdo shqiptari të çdo treve, e veçanërisht shqiptarëve të Çamërisë, të mblidhemi përpara Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë me moton “Unë jam shqiptar i Çamërisë, unë ekzistoj”! Tubimi zhvillohet gjatë takimit mes ministrave të Jashtëm te dy vendeve!”, thuhet në një deklaratë të shoqatës “Çamëria”.

Ndërkohë, ditën e martë, dy ministrat e Jashtëm do të marrin pjesë në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës me temë: “Mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke për të ardhmen evropiane të rajonit”. Në përfundim të panelit të parë të diskutimeve, të dy ministrat Bushati e Kocias do të ketë dhe një panel të dytë diskutimi me akademikë shqiptarë dhe grekë. /Telegrafi/

Temat
LajmeRajon

Të afërta