Haradinaj: Nuk qëndroj pas Grupit Kumanova

Akuzat e Ministrit të Brendshëm të Maqedonisë se prapa ngjarjeve në Kumanovë, qëndron Ramush Haradnaj me njerëzit e tij, janë shpifje ordinere të elementëve kriminalë të Qeverisë së Shkupit.

“Haradinaj e askush nga njerëzit e tij, s’ka pasur asnjë lidhje as me Kumanovën e as me ngjarjet tjera të kësaj natyre, të cilat janë sponzorizuar nga vetë qarqet politike kriminale të Shkupit, kjo me qëllim të amnistimit të veprimeve kriminale që i kanë ndërmarrë vet”, thuhet në një komunikatë për media të AAK-së.

Sipas komunikatës, Kosova ka marrëdhënie të mira me Maqedoninë dhe është e interesuar të zhvilloje fqinjësi të mirë, por deklarata të tilla të pavërteta dhe nxitëse, janë në kundërshtim me fqinjësinë e mirë.

“Prandaj Qeveria e Shkupit duhet të distancohet nga deklaratat e Ministrit të vet, sepse ajo e di më mirë se askush tjetër se kush qëndron prapa ngjarjeve në Kumanovë dhe zhvillimet atje, t’i emërtojë me emrin që kanë”, thuhet në komunikatë.

AAK i bën thirrje edhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni, që të distancohet nga shpifjet e ministrit të Brendshëm maqedonas, dhe të mos bëjë sehir, por ta zbardhin skenarin e Kumanovës dhe rolin që kishin në këto ngjarje segmente kriminalë të pushtetit në Shkup.

Temat
LajmeVend

Të afërta