Ymeri e Kurti, presidentit Nishani: Shqipëria të kujdeset për kufijtë e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri bashkë me Albin Kurtin, sot janë takuar me presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani.

Ymeri nëpërmjet një statusi në Facebook-ka shkruar se kufijtë e Kosovës janë kufij kombëtarë për të cilët është i obliguar të kujdeset edhe shteti sh qiptar.

Postimi i plotë të Ymerit:

Sot, takuam Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Gjatë bashkëbisedimit, në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i bëra të ditur Presidentit qëndrimet e shqetësimet tona për situatën politike në Kosovë, por edhe gjendjen e shqiptarëve në rajon.

I thashë Presidentit se kufijtë e Kosovës janë kufij kombëtarë për të cilët është i obliguar edhe shteti shqiptar. Biseduam për nevojën e koordinimit të dy shteteve për çështjet rajonale, duke filluar nga mekanizmat për bashkëpunim ekonomik, të sigurisë dhe politikës së jashtme. Kemi ndarë me z. Nishani përvojën e Kosovës në çështjen e drejtësisë me ç’rast treguam se “drejtësia ndërkombëtare” ka rezultuar si legjitimuese e korrupsionit lokal.

Drejtësia për Shqipërinë duhet të burojë nga brenda, e kusht për këtë janë politikanët e pakorruptueshëm e kurajoz. Kemi ndarë shqetësimin mbi privatizimet e koncesionet që po e dëmtojnë ekonominë andej e këndej kufirit, duke shkaktuar papunësi e rënie të prodhimit vendor.

Temat
LajmeVend

Të afërta