Shkallë e lartë e dhunës ndaj fëmijëve

Edhe në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, në udhëkryqet e Prishtinës janë parë fëmijë duke larë xhamat e veturave apo duke kërkuar lëmoshë.

10,7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6,8 për qind punojnë në kushte të rrezikshme. Kurse, 61,4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14-vjeçare kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike

Vajza gjashtëvjeçare, e cila prezantohet si Liza, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve qëndronte skaj udhëkryqit tek semaforët afër Fakultetit Teknik. Aty kërkonte lëmoshë. Për çkado që e pyet ajo rrudh krahët. Nuk pëlqen të flasë me njerëz, pos t’i falënderojë nëse i lënë ndonjë para.

Në semaforët në qendër të Prishtinës një djalosh rreth 14-vjeçar lanë xhamat e veturave. Është kjo një mënyrë nga e cila ai përpiqet të fitojë ndonjë euro, që thotë se i nevojiten për të mbajtur familjen.

Fëmijë si këta shihen çdo ditë udhëkryqeve të Kosovës. Në raste, ata trafikohen. Megjithatë, faktori kryesor që këta fëmijë janë në rrugë është varfëria.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka thënë se të dhënat e fundit, të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion, flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve në 32,8 për qind, në krahasim me 29,7 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme. /Zëri/

Temat
LajmeVend

Të afërta