Presidenti Nishani dekorohet nga Presidenti i Bullgarisë me Urdhrin “Stara Planina” të Gradës I

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, u dekorua nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, me urdhrin më të lartë të Republikës së Bullgarisë “Stara Planina” të Gradës së Parë, me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare”.

Presidenti Nishani e falënderoi Presidentin e Bullgarisë për vlerësimin dhe mirënjohjen dhe u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe miqësia mes popullit shqiptar dhe atij bullgar, janë marrëdhënie tradicionale që falë vlerave të përbashkëta euroatlantike sot kanë marrë dimensione të reja bashkëpunimi.

39-700x467

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke shprehur bindjen se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Nishani e siguroi Presidentin e Bullgarisë Plevneliev për vullnetin e Shqipërisë për t’i zhvilluar e forcuar më tej marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, në dobi reciproke por edhe për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Kjo është medalja e dytë e këtij niveli të marrë nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, pas “Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane, Kalorësit të Kryqit të Madh” të marrë nga Presidenti i Republikës Italiane, në vitin 2014, në shenjë vlerësimi për meritat e larta të Kreut të Shtetit shqiptar në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të thella të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve.

47-700x703

Temat
LajmeRajon

Të afërta