Franca nuk do të jetë vetëm në kampionatin e futbollit Euro 2016. Forcave të vendase të sigurisë do t’iu bashkohen patrulla ndërkombëtare.
Së fundmi, me propozimin e Ministrisë së Brendshme franceze edhe policia ruse konfirmoi pjesëmarrjen në operacionin e sigurisë në vend. Por jo vetëm. Edhe policia shqiptare do të jetë pjesë e këtyre patrullave.
Burime të Top Channel deklarojnë se ekipi kombëtar i futbollit do të shoqërohet gjatë qëndrimit në Francë nga forcat më të mira policore shqiptare.
Pas një seleksionimi ku morën pjesë të gjithë elementët më të mirë të policisë shqiptare u përzgjodhën 5 oficerë të policisë shqiptare që janë pjesë e elitës së uniformave blu, për të shoqëruar ekipin kombëtar të futbollit.
Caktimi i tyre erdhi pas një kërkese të vetë autoriteteve franceze, të cilat ia kanë kërkuar këtë çdo shteti pjesëmarrës në Euro 2016.
Kërkesa e francezëve ka ardhur kohë më parë dhe policia shqiptare ka bërë përgatitjet e saj duke marrë parasysh njohjen e gjuhëve të huaja nga ana e policëve si pikënisje të përzgjedhjes, eksperiencën në ruajtjen e personaliteteve dhe më pas aftësitë e tyre fizike.
Drejtuesit kryesorë të policisë shqiptare konfirmojnë se kanë bërë përzgjedhjen më të mirë të mundshme për ruajtjen e kombëtares në Francë, për të shmangur ndonjë situatë të mundshme gjatë turneut.