Lajme

FOTOLAJM / Flutura Açka: Një 1 Qershor pa fëmijët e ngujuar!

By Emanuel Demaj

June 02, 2016

Nga Flutura Açka.

Vogëlushi në foto quhet Luan. Ka lindur dhe po rritet, edhe pse tani i ka kaluar dhjetë vjetët, i ngujuar, bashkë me katër djemtë e tij të xhaxhait. Ai dhe sivëllezërit e tij janë në ‘Llogarinë’ e një gjaku të vjetër. Luani nuk e ka babain; ka shkuar nga kjo botë për gjak.

E ëma, një grua e bukur e re, që e kam takuar kur Luani ishte vetëm një trevjeçar, vari veten në një nga pemët e kopshtit të vogël të shtëpisë së tyre në rrethinat e Shkodrës, sepse nuk mund të pranonte se po rriste një djalë i fatthënë për t’u vrarë.

Djemtë më të rritur të shtëpisë, tani po përpiqen të shkëputen drejt lirisë, por jetojnë gjithkohë të fshehur, dhe Luanin e merr shpesh e më shpesh malli për ta. Për të kujdeset gruaja e xhaxhait, e cila e do dhe e mbron si fëmijën e vet; ajo është e vetmja që e mban atë familje të varfër me gjithfarë punësh që bën lart e poshtë dhe me lëmoshat e njerëzve që e ndihmojnë. Por Luani ka filluar të kuptojë.

Kur e takova herën e fundit dhe e pyeta se për cilin nga vëllezërit e kishte marrë malli, më tha: “Më ka marrë malli për mamin!”

Pastaj, i gjendur në prehërin e mëmës që e rriti, kafshoi buzën dhe përmendi emrin e njërit prej sivëllezërve të tij. Luani po rritet dhe do të kërkojë edhe ai shpejt të fluturoje në këtë botë të lirë, por ai i ka krahët e prerë. Nuk ndjek dot as shkollën, e çfarë do t’i ofrojë kjo botë e madhe për një të pashkolluari dhe të padituri si ai.

Prita se ndoshta ndonjë gazetar, ndonjë televizion, do t’i kushtonte disa minuta edhe 1 Qershorit të këtyre fëmijëve. Asnjë fjalë, vetëm pallavra dhe politikë që grin të gjitha minutat e vyera të jetës së shqiptarëve. Për barin plastik dhe buzëqeshjet po aq plastike të politikanëve, për butaforitë e bojatisjes së shkollave e për gjithfarë ngjyrash hutuese të publicitetit kallp, kanë minuta dhe nge televizionet.

Dje duhej folur edhe për këta famijë, janë me qindra, të kërcënuar me jetë, të ngujuar nëpër shtëpira apo arratisur maleve, në varfëri të plotë, të privuar nga shkolla, të privuar nga jeta shoqërore, dhe mbi të gjitha, duke bërë përditë pakt me Vdekjen. A mund të bëjë një fëmijë i pafajshëm pakt përditë me Vdekjen?

Për ta 1 qershori është edhe më trishtues kur shohin parqe të rinj, të bërë nga milionat që hidhen për bar plastik mbi beton (a thua fëmijët kanë alergji nga bari natyral), miliona që mund të ishin përdorur për këta femijë që janë plakur qysh tani prej shpërfilljes sonë të neveritshme, njëzetepesëvjeçare.

(Marrë nga profili në Fb.)