Edhe Komisioni Evropian kërkon regjistrimin në veri të Kosovës

Pas Kuvendit të Kosovës, i cili vendosi që brenda kësaj jave të shqyrtojë Projektligjin për regjistrimin e popullsisë në veri të vendit, edhe Komisioni Evropian ka theksuar nevojën që të nxirret një ligj i tillë, transmeton koha.net.

“Në fushën e statistikës, Komisioni thekson nevojën që të miratohen amendamente në Ligjin mbi statistikat dhe të miratohet Ligji për regjistrimin e popullsisë në katër komuna në pjesën veriore të Kosovës. Po ashtu u bisedua rreth gjendjes së resurseve për zbatimin e statistikës zyrtare në Kosovë në dritën e kërkesave që të forcohen llogaritë shtetërore, me këtë vështrim edhe i statistikave mbi subjektet afariste”, thuhej në komunikatën e përbashkët të Ministrisë së Integrimeve të Kosovës dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Po ashtu theksohet se “Komisioni nxit Kosovën të ftojë vëzhguesit ndërkombëtarë për regjistrimin e popullsisë në katër komuna në pjesën veriore të Kosovës”.

Regjistrimi në pjesën veriore të Kosovës ishte një nga kushtet e Listës Serbe për rikthim në institucionet e Kosovës, pas braktisjes së tyre kur u largua nga Qeveria përfaqësuesi i kësaj Liste, Aleksandar Jabllanoviq. Po ashtu ishte një nga kërkesat e përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe gjatë një mbledhjeje të tyre në Graçanicë, kur këtë kërkesë e shtruan si “parakusht për buxhetet reale komunale”.

Sipas dispozitave ligjore, bazë për llogaritjen e granteve qeveritare për secilën komunë është numri i banorëve dhe sipërfaqja e komunave.

Meqë serbët në pjesën veriore të Kosovës bojkotuan regjistrimin e popullsisë më 2013, Qeveria e Kosovës sipas përllogaritjes së Agjencisë Kosovare të Statistikave llogariti se në këtë pjesë të vendit jetojnë rreth 45 mijë banorë, që përbëjnë 2,5 për qind të numrit të përgjithshëm të banorëve të Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta