Altin Lala kritika të ashpra ndaj De Biasit

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala ka kritikuar ashpër trajnerin italian Gianni de Biasin për përpilimin e listës përfundimtare për ‘Euro 2016’.

Në kampin kuqezi ditët e fundit janë shtuar polemikat për shkak të listës përfundimtare dhe zgjedhjeve të strategut italian për 23 lojtarët që do të marrë në Francë.

Rashica, Gjimshiti, Rrahmani dhe Shala u detyruan të largohen pasi De Biasi ka preferuar lojtarë të tjerë.

Në mesin e atyre që i shohin me rezerva zgjedhjet e italianit është edhe ish-kapiteni Altin Lala, njëkohësisht edhe ish-ndihmës i De Biasit i cili ka reaguar gjatë një interviste për “Panorama Sport”.

Altin, sa i keni ndjekur zhvillimet në Kombëtare gjatë javëve të fundit?
Jam informuar rregullisht. Aq sa kam mundur, nëpërmjet shtypit, por edhe nëpërmjet miqve të mi.

A e prisnit që një atmosferë festive të shoqërohej me kaq shumë diskutime?
Po, patjetër që po. Ishte e pritshme që do të kishte pro dhe kundër zgjedhjeve të trajnerit. Kjo është e pashmangshme për çdo vend.

Juve si ju dukën zgjedhjet që bëri De Biasi?
Unë prisja të ishim pak më largpamës dhe pse jo të investohej akoma më shumë për të ardhmen. Lojtarë të rinj dhe të talentuar si Rashica dhe Rrahmani ndoshta duhet të kishin pasur një shans në Europian.

Ju keni edhe njohje personale me Rashicën, apo jo?
Po, e vërtetë. Dua ta saktësoj këtë pjesë: me Rashicën kam njohje personale dhe sigurisht që nuk kam ndërmend ta teproj. Por nuk është çështja vetëm te një lojtar. E kam për disa të tillë. Personalisht mendoj se duhej të kishin pasur më tepër mundësi ata që realisht kanë zhvilluar edhe një sezon të mirë.

Ju nuk mendoni se janë thirrur ata që janë në gjendjen më të mirë?
Rashica ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer te Viteshe dhe momentalisht është një nga lojtarët më në formë. Rrahmani ka luajtur shumë mirë dhe është votuar në 11-shen e vitit në Kroaci. Në çdo vend të botës thirren lojtarët më në formë. Thirren ata që kanë bërë një sezon mbi mesataren… Nuk dua ta teproj me argumente të tjera…

Çfarë argumentesh?
Shikoni, dua të theksoj me zë të lartë se zgjedhjet janë ekskluzivisht të trajnerit dhe duhet t’i respektojmë ato. Të mos ngatërrohemi! Nuk kam ndërmend as ta kritikoj për listën dhe as t’i jap mend se çfarë duhet të bëjë. Ndryshe do të kisha folur para se të shpallej lista. Por nëse më kërkoni një mendim racional si një njeri që tani e sheh nga jashtë skuadrën, unë mendoj se sot Shqipëria nuk ka një lojtar që në një moment të vështirë mund të hyjë nga stoli dhe të bëjë diferencën. Rashica për shembull është një i tillë. Ai mund të bëjë disa gabime gjatë një ndeshjeje, por ama mund të shpikë edhe diçka nga hiçi. Ndërkohë, shkojmë me 3 qendërmbrojtës në Europian, por nuk i japim asnjë mundësi Rrahmanit, i cili mund të pjesë e së ardhmes së përfaqësueses. Ndoshta e ka pasur 23-shen të fiksuar në kokë që shumë kohë më parë…

Të rikthehemi te Kombëtarja, sa shanse kemi që të kalojmë grupin?
Nuk kemi asgjë për të humbur. Kemi entuziazmin me vete dhe kemi besim se nëse skuadra punon në grup, mund të bëjë gjëra të mëdha. Mjafton vetëm edhe një fitore. Francën e shoh të pakalueshme, por me Zvicrën dhe Rumaninë mund të bëjmë ndonjë surprizë. Unë besoj.

Sa shanse ka që De Biasi të largohet pas Europianit?
Nuk e di. Pyesni atë. Unë kam lexuar gjëra nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë më ka lënë përshtypjen që edhe mund të ikë…

Po jua riformuloj pyetjen: a bini dakord me një pjesë të opinionit që lista e De Biasit ishte ajo e një trajneri në ikje?
Pjesërisht po. Ndoshta është edhe kështu, por tani më mirë ta shijojmë Europianin…

Temat
SportVend

Të afërta