Themelohet Task-Forca për anëtarësimin në organizatat e kulturës

Qeveria e Republikës së Kosovë sot miratoi propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për krijimin e Task-Forcës, me qëllim të bashkërendimit të punëve për anëtarësimin apo aderimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare të kulturës dhe të trashëgimisë.

Ministrin Kujtim Shala në ekspozenë e tij në mbledhjen e stome të Qeverisë së Kosovës u shpreh se MKRS-ja konsideron që pas rezultatit të jashtëzakonshëm të anëtarësimit të plotë të asociacioneve të sportit të Kosovës në asociacionet ndërkombëtare, i gjithë fokusi duhet të jetë te anëtarësimi dhe aderimi në organizata e konventa ndërkombëtare të kulturës, kështu që është e domosdoshme që të kemi një mekanizëm, i cili do të ndihmojë dhe do të bashkërendojë punët.

Shala shtoi se qëllim primar i kësaj Task-force do të jetë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që kanë lidhje të ngushtë me UNESCO-n dhe organizatat e tjera të rëndësishme të kulturës dhe të trashëgimisë. Po ashtu, do të asistojë në procesin e aderimit në konventa dhe karta ndërkombëtare të kulturores, me qëllim lidhjen e Kosovës me institucione ndërkombëtare kulturore.

Po ashtu, min istri Shala u shpreh se MKRS-ja, krahas kësaj, do të vazhdojë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale me shtete të veçanta, me qëllim që të rris bashkëpunimin në fushën e kulturës me vendet e tjera dhe të rrisë përkrahjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të kulturës.

Ai tha se çdo anëtarësim do të jetë i dobishëm për komunitetin dhe institucionet e kulturës së vendit, si dhe do të ndihmojë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës ës Kosovës.

Task-Forca do të përbëhet nga përfaqësuesi i:

a. Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues;

b. Presidencës;

c. Kryeministrisë;

d. Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit të Republikës të Kosovës;

e. Ministrisë të Punëve të Jashtme;

f. Ministrisë së Integrimeve;

g. Ekspertë sipas nevojës;

h. Përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas njoftimit të Ministr isë së Kulturës, Task-Forca, në radhë të parë, do të ketë në fokus në anëtarësimet/aderimet në këto organizata: Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe të Restaurimit të Pasurisë Kulturore (ICCROM); Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve (ICOMOS); Konventa mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (UNESCO 1972); Karta Ndërkombëtare mbi Ruajtjen dhe Restaurimin e Monumenteve dhe Lokaliteteve (Karta e Venedikut, 1964/ICOMOS); Konventa Evropiane për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike (Këshilli i Evropës 1992); Konventa Kulturore Evropiane (Këshilli i Evropës, 1954); Programet e BE-së etj.

Temat
LajmeVend

Të afërta