Thaçi në Bullgari: Dialogu me Serbinë ka ndihmuar integrimin e veriut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në samitit e SEECP-së në Bullgari, ka zhvilluar edhe një takim bilateral me homologun e tij bullgar, Rosen Plevneliev.

Të parin e Bullgarisë, presidenti Thaçi e ka falënderuar për përkrahjen që shteti bullgar i kanë dhënë Kosovës. Hyrja në fuqi e MSA-së, dialogu me Serbinë dhe rekomandimi për vizat janë vërtetim i reformave të suksesshme dhe të thella të Kosovës janë disa nga sukseset që Thaçi i ka përmendur Plevnelievit.

“Kosova tashmë është konsoliduar brenda dhe jashtë si shtet. Në rajon jemi bërë shembull i dialogut dhe bashkëpunimit. Dialogu me Serbinë ka ndihmuar në integrimin e pjesës veriore të Kosovës në institucionet e Kosovës, por ka reflektuar edhe në stabilizimin e rajonit”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se me shtetet e rajonit duhet të thellohet më shumë edhe bashkëpunimi ekonomik.
Nga homologu i tij bullgar, presidenti Thaçi ka kërkuar përkrahje të mëtejme edhe për anëtarësimin në konventa dhe organizata tjera ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës. Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, ka thënë se Bullgaria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se bashkëpunimi ynë duhet të zgjerohet edhe në sferën e ekonomisë.
Presidenti Thaçi dhe homologu i tij bullgar, sipas Presidencës së Kosovës, kanë shkëmbyer mendime edhe për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe për perspektivat zhvillimore të rajonit në aspektin politik, ekonomik dhe në fushat tjera të rëndësishme.

thaqi21

Temat
LajmeVend

Të afërta