Reagon Ministria e Ambientit: Projekti i Qeverisë së Serbisë në Veri nuk mund të realizohet pa leje

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar përmes një njoftimi, ku thuhet se projekti i Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e lagjes për të kthyerit në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, nuk mund të realizohet pa lejen e Qeverisë së Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë:

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, njofton opinionin se asnjë ndërtesë individuale apo kolektive në territorin e Republikës së Kosovës, nuk mund të realizohet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Përkitazi me projektin e paralajmëruar të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e lagjes për të kthyerit në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, MMPH thekson se ky projekt nuk mund të zbatohet pa marrëveshje ndërshtetërore, si dhe pa miratimin nga ana e MMPH-së të planeve zhvillimore komunale dhe hartave zonale të këtyre komunave.

Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Komuna e Zveçanit, si dhe çdo komunë tjetër në Republikën e Kosovës duhet fillimisht të miratojnë dokumentet e sipërpërmendura të planifikimit hapësinor, pastaj të paraqesin për miratim propozime që janë konform tyre.

MMPH rikonfirmon se çdo aktivitet ndërtimor që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, do të sanksionohet në bazë të dispozitave përkatëse ligjore./Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta