Nisin procedurat për ndërtimin e pikës së re kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë

Ministria për Dialog, Edita Tahiri, ka zhvilluar sot një takim pune me përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të Komunës së Kamenicës, Policisë së Kosovës dhe Doganave ku është diskutuar dhe raportuar mbi progresin në ndërtimin e pikë-kalimit të ri kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në lokacionin Kapi e Sfircës, për të cilën është arritur pajtimi në Bruksel me kërkesën dhe insistimin e shtetit të Kosovës në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ndërkufitar IBM.

Në takim, përfaqësuesit nga Policia e Kosovës kanë raportuar se është hartuar projekti dhe kanë filluar procedurat e tenderimit dhe kontraktimit, ndërsa nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë konfirmuar se kanë përfunduar procedurat e shpronësimit dhe në vijim është procedura e pajisjes me lejet përkatëse. Komuna e Kamenicës, e përfaqësuar nga nënkryetari, raportoi se janë duke i përfunduar aspektet ligjore për ofrimin e shërbimeve që ndërlidhen me funksionimin e kësaj pike të kalimit kufitar.

Inaugurimi i fillimit të punimeve pritet të bëhet gjatë muajit shtator të vitit 2016.

Rëndësia e hapjes së pikë-kalimit kufitar Kapia e Sfircës e cila do të lidhë Kamenicën me Medvegjën është e madhe ngase do të kontribuojë në zhvillimin e komunës së Kamenicës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës si dhe do të shkurtoi udhëtimin e shqiptarëve të Medvegjës për më shumë se 80 km.

Kjo pikë kufitare do të funksionoi sipas modelit të IBM-së për pikë-kalimet kufitare në mes të dy shteteve.

Temat
LajmeVend

Të afërta