Lëvizja për Bashkim kërkon ndërhyrjen e prokurorisë për t’i verifikuar veteranët

Lëvizja për Bashkim procesin e verifikimit të veteranëve të luftës nga Komisioni Qeveritar, i cili sot doli me rezultatin se në Kosovës janë 46,230 veteranë, e ka quajtur skandaloz. Ky subjekt politik ka kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë për “skandalin” me veteranët.

Në reagimin për media, LB, ka thënë se kjo shifër është jashtëzakonisht e fryrë.

Sipas LB’së ky është numri i veteranëve nëpër zona.

Zona e Dukagjinit – 15,023;

Zona e Pashtrikut – 8,730;

Zona e Drenicës – 6,959;

Zona e Llapit – 4,310;

Zona e Nerodimes – 3,100;

Zona e Shalës – 1,950;

Zona e Karadakut – 1,070;

Njësitë Vartëse të ShP të UÇK-së–5,057 dhe

Shtabi i Përgjithshëm – 31!

Lëvizja për Bashkim konsideron se kjo shifër, jo vetëm që e komprometon emrin e veteranëve të vërtetë, por në të njëjtën kohë e njollosë luftën e drejtë të UÇK-së dhe qëllimet e saj!

“Në njërën anë, është e pandershme dhe e padrejtë që të dëmtohet e kaluara përmes barazimit të një veterani të vërtetë me një mashtrues ordiner, dhe në anën tjetër, është e papranueshme që kjo padrejtësi të paguhet edhe me të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve, përmes rëndimit të buxhetit të varfër të vendit”, thekson LB në reagimin e saj.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim kërkon “ndërhyrjen e menjëhershme të prokurorisë për ta verifikuar këtë gjendje, në mënyrë që manipuluesit të dalin para drejtësisë, veteranit t’i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur dhe shtetit t’i krijohet mundësia për përkujdesje dinjitoze për veteranët e vërtetë”.

Temat
LajmeVend

Të afërta