Sipas nobelistes për Paqe, Tawakkol Karman liria e shprehjes është çelësi i demokracisë dhe demokracia është çelësi për të luftuar dhunën, ekstremizmin dhe terrorizmin. Por i rëndësishëm është edhe roli i mediave.
Nobelistja Karman tha se media duhet të bëhet zëri i qytetarëve dhe jo vegël e diktaturave.
Ekstremizmi dhe terrorizmi janë bërë kërcënime për shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën. Megjithëse me një rënie të ndjeshme vitin e fundit, viteve të kaluara është raportuar për pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat në Siri e Irak.
Ky problem, ka nxitur institucionet që të aprovojnë edhe strategjinë për luftimin e ekstremizmit.
Në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, në Kosovë po mbahet konferenca ndërfetare ku në mesin e treqind pjesëmarrësve në këtë konferencë po merr pjesë edhe nobelistja jemenase për paqe, Taëakkol Karman.
Karman, në një intervistë dhënë KosovaPress-it, tha se liria e shprehjes është slogani i parë për të cilën sakrifikon dhe përpiqet në vendet Arabe. Siç tha ajo, regjimi autoritar atje dëshiron që njerëzit të vazhdojnë të heshtin, të mos flasin për korrupsionin, për ato që ndodhin në qytete dhe shoqëritë e tyre.
“Liria e shprehjes është çelësi i demokracisë dhe demokracia është çelësi për të luftuar dhunën dhe ekstremizmin dhe po ashtu terrorizmin. Kështu që liria e shprehjes është slogan ynë i parë për të cilin sakrifikojmë dhe që përpiqemi për të ne vendet Arabe sepse regjimi tiran, autoritar dëshiron që njerëzit të vazhdojnë të heshtin, të mos flasin për korrupsionin, të mos flasin për atë që po ndodh në qytetet dhe shoqëritë e tyre.
Ky ka qenë mjeti i regjimeve autoritare për të ruajtur karriget e tyre, për të ruajtur autoritetin e tyre. Për këtë arsye liria e shprehjes ka qenë e para gjë, çelësi për të cilën jemi përpjekur për të luftuar autoritetin dhe po ashtu për të luftuar terrorizmin”, tha Karman.
Ajo tha se shtetet perëndimore duhet të dinë që nuk mund ta luftojnë dhunën, terrorizmin, ekstremizmin, pa përkrahur të drejtën e shprehjes, duke shtuar se shtetet perëndimore besojë në atë që, e vetmja mënyrë për të luftuar ekstremizmin dhe dhunën janë bombat dhe plumbat. E për të kjo formë është e gabuar, pasi që ideja është të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
“Shtetet perëndimore duhet ta dinë që ne nuk mund ta luftojmë dhunën, terrorizmin, ekstremizmin pa përkrahur te drejtën e shprehjes. Pa i mbështetur njerëzit që përpjekën për liri, drejtësi, barazi dhe demokraci. Kjo është fundamentale.
Dhe po ashtu qeverisje të mirë, dhe zhvillim. Ata besojnë se e vetmja formë për të luftuar ekstremizmin dhe dhunën janë bombat dhe plumbat. Kjo është shumë e gabuar, në fakt ideja është të gjejmë një zgjedhje gjithëpërfshirëse bashkë me njerëzit që përpiqen për liri, me njerëzit qe përpiqen për lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është e vetmja mënyrë për të luftuar dhunën, e vetmja mënyrë për të bindur njerëzit dhe shoqërinë se përdorimi i dhunës është i gabuar për të arritur qëllimet.
Pra perëndimorët, qeveritë perëndimore duhet të përkrahin dhe të zgjedhin rrugën e duhur për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin në të gjithë botën, pra në shtetet konservative. Duke i mbështetur njerëzit që luftojnë për demokraci, liri të shprehjes, barazi, drejtësi sundim të ligjit dhe paqes”, është shprehur Karman.
Megjithatë, ajo ka theksuar edhe rolin e medias në luftën kundër ekstremizmit e terrorizmit, duke thënë se është e rëndësishme që media të bëhet zëri i njerëzve e jo vegël e diktaturave.
“Mediat kanë një rol shume të rëndësishëm për të treguar të gjitha krimet që bëhen nga regjimet autoritare. Është shumë e rëndësishme të bëheni zëri i njerëzve, është e rëndësishme të mos bëheni vegël e diktaturave … media është zëri i njerëzve prandaj ne kemi nevojë që media të jetë përkrah njerëzve.
Por fatkeqësisht diktatorët, regjimet autoritare e luftojnë median, i mbyllin portalet, i mbyllin gazetat, i mbyllin televizionet, i vrasin njerëzit që përdorin të drejtën e lirisë së shprehjes nëpër rrugë”, theksoi ajo.
Karman po qëndron në Kosovë, ku po mbahet konferenca me temën “Roli i Gruas në Promovimin e dialogut Ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”, ku prezentë janë edhe liderë fetarë nga Argjentina, Jemeni, Amerika, Kuba, Tajlanda, Nigjeria, dhe mbi 45 shtete tjera nga mbarë rruzulli tokësor.