Gjykata dënon me një vit burg për terrorizëm Mentor Zejnullahun

Mentor Zejnullahu është dënuar me një vit burgim efektiv nga Gjykata e Gjilanit. Ai akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në tentativë në grup terrorist. Zejnullahu e kishte pranuar fajësinë dhe ishte shprehur i penduar.

I akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist në tentativë, Mentor Zejnullahu është dënuar me një vit burgim efektiv nga Gjykata e Gjilanit.

Zejnullahu në seancën e dytë gjyqësore e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilen akuzohej.
“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem. Pranimin e kam bërë vullnetarisht dhe jam penduar që kam kryer këtë vepër,” kishte thënë të hënën para gjykatës Mentor Zejnullahu.

Gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë dhe për këtë ka dënuar me 1 vit burgim efektiv të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Zejnullahu kishte thënë se nuk e dinte që ISIS është grup terrorist.

Sipas Prokurorisë Speciale, Mentor Zejnullahu më 29 gusht të vitit të kaluar ishte nisur drejt Tiranës me qëllimin për të shkuar në Turqi e më pas në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it, por udhëtimi i tij kishte përfunduar në Aeroportin “Nënë Tereza” të kryeqytetit shqiptar, pasi Policia e Shqipërisë nuk e kishte lejuar të udhëtonte, raporton Kallxo.com.

Aktakuza sqaron se në deklarimin e tij në prokurori Zejnullahu kishte thënë se para një viti kishte nisur t’i kryejë ritet fetare së pari në xhaminë e fshatit Tërpezë të Vitisë, e pastaj edhe në atë “El Kudus” të Gjilanit, ku ndiqte ligjëratat e imamit të akuzuar dhe tashmë të dënuar për rekrutim në terrorizëm Zeqirja Qazimi.

Qazimi u dënua me dhjetë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 maj.

Temat
LajmeVend

Të afërta