UP-ja, edhe sivjet nikoqire e qindra studentëve nga vende të ndryshme të botës

Rreth 350 studentë, vendorë e ndërkombëtar, nga vende të ndryshme të botës, nga data 5 korrik deri më 15 korrik 2016, do të jenë pjesëmarrës në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjatë kësaj kohe do të ofrohen gjithsej 11 kurse nga fusha të ndryshme të studimit, të cilat ligjërohen nga profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, si nga SHBA-të, Gjermania, Irlanda, Polonia, Rusia, Kroacia, Bullgaria,…

Sipas një njoftimi të UP-së, pjesëmarrësit gjatë këtyre ligjëratave do të kenë rastin të përfitojnë njohuri të ndryshme nga profesorët ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe do të këmbejnë përvoja akademike dhe shkencore nga të gjitha lëmit.

“Përveç aktivitetit akademik, përgjatë këtij programi zhvillohen edhe një serë aktivitetesh tjera, si: forume, punëtori të ndryshme, ekskursione, gara sportive, mbrëmje studentore, vizita të ndryshme dhe aktivitet të tjera”, thuhet në njoftim.

Sipas prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Ass. Dr Afrim Hoti, këtë edicion, është vënë re një interesim më i madh i të rinjve nga vende të ndryshme të botës, si nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Zvicra, Norvegjia, Polonia, Spanja, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Tunizia, Turqi, Japonia, Shqipëria, Bangladeshi, Belgjika, Benini, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Bullgaria, Kamboxhia, Kina, Kroacia, Çekia, Danimarka, Franca, Gjeorgjia, Gana, Indonezia, Italia, Kazakistani, Kenia, Maqedonia, Malejzia, Mali i Zi, Namibia, Nigeria, Pakistani, Filipinet.

Në përfundim të këtij programi studentët do të certifikohen nga Universiteti i Prishtinës dhe do të marrin 4 kredi (ECTS).

Temat
LajmeVend

Të afërta