Mos shkoni për lesh!

Nga Artan Hoxha

Para disa ditësh dy fëmije gjetën vdekjen në një aksident rrugor. Mjeti që drejtohej nga e ëma u përplas me mbrojtësen anësore ne vendin ku kjo ishte hapur abuzivisht, prej thuajse dy vitesh, në shërbim të një pikë karburanti, në kundërshtim edhe me një vendim gjyqësor. Gruaja me fëmijët po shkonin të takonin bashkëshortin/babanë në burg, dënuar për ndërtim pa leje.

Ngjarja tronditi publikun. Dramës familjare prej burgosjes për fare pak gjë të babait, nga shteti te cilit i ikin lehtësisht kriminelet, iu shtua tragjedia e humbjes se dy fëmijëve nga nëna që drejtonte mjetin, nën stres shkaktuar nga shteti, në vendin ku mbrojtësja duhej të ishte e mbyllur nga i njëjti shtet që deklaroi se “rrugë, rrugë, rrugë” ishte metodë e gabuar e se duhej harxhuar “për ca më pak rruge e për ca më shumë siguri rrugore”.

Me këtë politike Rilindja trefishoi kontrollet dhe gjobat policore, aplikoi në masë dënimet me heqje patente apo burg, ndaloi përdorimin e furgonëve, pakësoi ndjeshëm investimet në rrugë të reja, shtoi ndjeshëm shpenzimet për sinjalistikë, sistemim e zbukurim rrugësh. Këtë politikë ndoqi sa erdhi në pushtet e deri me sot.

Në muajt e parë rilindës, tetor-dhjetor 2013, numri dhe pasojat nga aksidentet rrugore ranë disi. Ndonëse s’kishin bërë ende gjësend Rilindësit u mburrën se ky ishte suksesi i tyre. Matja me hijen e mëngjesit i bëri entuziaste se aksidentet rrugore dhe pasojat do të zvogëloheshin edhe më shumë falë politikes largpamëse të tyre. Dy vitet që pasuan dhe këto katër muajt e parë 2016 janë keq e mos më keq.

Në vitin 2014, krahasuar me atë 2013, pati fillimisht një farë përmirësimi, ndoshta si efekt afatshkurtër i masivizimit të kontrolleve dhe ashpërsimit të gjobave e dënimeve, ndoshta për arsye të tjera. Kështu, numri i aksidenteve rrugore ra me 6%, i vdekjeve me 11%, i plagosjeve të rënda me 25% dhe i plagosjeve të lehta me 2%.

Për rrjedhojë, pritej që situata të përmirësohej në vitin 2015 por ndodhi e kundërta. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2015 kundrejt atij 2014, numri i aksidenteve u rrit me 4%, numri i vdekjeve u rrit me 4%, numri i plagosjeve të rënda u rrit me 11%, numri i plagosjeve të lehta u rrit me 4%.

Situata në rrugët e Shqipërisë në vitin 2015, ndonëse me mjaft më shumë kontrolle e dënime mjaft më të ashpra, i ngjante paradoksalisht më shumë situatës së vitit 2013 kur, edhe për shkak të zgjedhjeve, para e pas tyre, kontrollet policore ishin mjaft më të pakta dhe dënimet mjaft më të lehta.

Për të fshehur dështimin Rilindësi Tahiri, në fillim të janarit 2016, në fjalimin mburrës për sukseset 2015, treguesit e aksidenteve dhe vdekjeve i shprehu në raport me 10 mijë mjete dhe, për të fshehur dështimin, numrin e mjeteve në vitin 2015 e katapultoi në rreth 440 mijë krahasuar me 290 mijë mjete që përdori në formulë për vitet 2014 dhe 2013.

Në të njëjtin fjalim mburrës, për treguesin e vdekjeve nga aksidentet për 100 mijë banorë Shqipërinë e llogariti me 5.2 milion banorë në vitin 2015, 4.9 milion në 2014 dhe 4.4 milion në 2013.

Këto manovra jo vetëm që nuk ndihmojnë, por i bëjnë qesharakë edhe deklaratat politike edhe statistikat zyrtare rilindëse.

Katërmujori i pare 2016 është edhe me dramatik. Krahasuar me katërmujoret e parë të viteve 2013, 2014, 2015, katërmujori i parë 2016 mban rekordin për numrin e aksidenteve (598) dhe numrin e të vdekurve (81) ndërsa mban vendin e dyte për numrin e plagosjeve të rënda (129) dhe numrin e plagosjeve të lehta (563). Në tërësinë e vet katërmujori i pare 2016 duket më keq se çdo katërmujor i parë i tre viteve pararendëse.

Duke konsideruar te dhënat e katërmujorit të parë 2016 si dhe strukturën sezonale të aksidenteve dhe pasojave te tyre, përllogaritur mbi bazën e të dhënave të tre viteve pararendëse, e duke e zbatuar formulat për pjesën e mbetur të vitit, pritet që në rrugët e Shqipërisë, në periudhën Maj-Dhjetor 2016, të ndodhin afro 1500 aksidente me afro 220 të vdekur, afro 290 të plagosur rëndë dhe afro 1400 të plagosur lehtë.

Nëse do të ndodhe ky parashikim, bashkë me aksidentet dhe pasojat e katërmujorit të parë, do ta bëjnë vitin 2016 më të përgjakurin e katër viteve te fundit.

Uroj të mos ndodhë kaq rëndë. Por, për të mos ndodhur, mos mbani shprese as tek Policia e rilindur, as tek gjobat e rilindura, as tek palmat a bojatisja e rrugëve.

Kur të jeni me timon në dorë harrojini hallet e streset e shkaktuara nga Rilindja, tjetërkush a tjetër shkak, lidhni rripin dhe jepini mjeteve sa më ngadalë e me sytë katër, përndryshe përfundoni e dhënë statistikore që, sado e trishtë të jetë, në fund të vitit do të paketohet mirë e bukur nga rilindësit.

Rilindësit, si vdiqe si s’vdiqe, në çdo rast do të deklarojnë sukses ndaj, të paktën, ju mos shkoni për lesh.

Temat
Opinione

Të afërta