Kosova, shtet pa ushtri! Kush po e bllokon shndërrimin e FSK-së në FAK?

Shndërrimi i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) ka mbetur që një kohë të gjatë ‘peng’ i deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës.

Kësisoj, formimi i FAK-ut po de të jetë i pamundur pa një “pajtim” të deputetëve serbë, meqë për shndërrimin e FSK-së në FAK duhen ndryshime Kushtetuese dhe ato ndryshime nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës dhe për më shumë, pa dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë pakicat në Kuvend.

Nga ana tjetër, e vetmja zgjidhje që Lista Serbe të votojnë pro ushtrisë së Kosovës është që pozita dhe opozita kosovare ti thotë “PO” formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës thonë se vendi ynë ka plotësuar kushtet që të formohet ushtria. Ndërsa, disa prej tyre thonë se Lista Serbe është ajo që po mban pengë këtë rast.

Musliu: Kosova e gatshme për ushtri

auto_ganimete1464614243

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë për Indeksonline se nuk ka asnjë pengesë që çështja e “FAK”-ut të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

“Vetë fakti që të gjitha kushtet e kërkuara për transformimin e FSK-së në FAK tashmë janë plotësuar dhe kjo tregon që për asnjë moment FSK nuk është harruar dhe neglizhuar nga ana e deputetëve.

Si deputet kemi kryer të gjitha obligimet prandaj kur do që të vë në rend të ditës ne do të japim kontributin tonë”, ka thënë ajo.

Selimi: FSK-ja është futur në pazare me Serbinë

Rexhep-Selimi-deputet-i-VV-së

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin i cili njëherësh është edhe anëtar i këtij komisionit thotë se qeveria e kaluar dhe kjo e tashmja kanë bërë një gabim të madh duke e futur FSK-në pazare dhe kombinacione në interesa të Serbisë në Kosovë.

“Gabimin fatal që e ka bë pushteti i sotëm dhe i djeshëm që është i njëjti është që FSK-në e ka fut në pazare dhe kombinacione në interesa të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, shndërrimi i FSK-së në FAK është në pazar të interesave të Serbisë në Kosovë.

“Që nga muaji maj i vitit 2014 e deri më sot pushteti në Kosovë e ka vendosur shndërrimin e FSK-së në FAK në –Pazar të Serbisë në Kosovë. Ka pranuar që të kushtëzohet nga Serbia për koncesione në interes të Serbisë por ka pranuar edhe të kushtohen interesat e qytetarëve, të kushtëzohet Parlamenti i Kosovës”, ka theksuar Selimi.

Më saktësisht, sipas Selimit, kushtëzimi është bërë kur është kërkuar që të votohet vazhdimi i vendeve të rezervuara të Listës Serbe, në shndërrimin e FSK-së.
“Ka vazhduar kështu deri më sot kur Lista Serbe apo më saktë Serbia po na e kushtëzon dhe po na e vë kusht çfarëdolloj mbështetje të FSK-së me krijimin e komunave serbe pra po na e mundëson kthimin e Serbisë në Kosovë, me miratimin e shndërrimit të FSK-së në FAK”, ka vazhduar Selimi.

Poashtu, deputeti i LVV-së ka theksuar se Kosova duhet të ketë sa më shpejtë ushtrinë e saj partneren me Aleancën Veri-Atlantike.

“Forca e Armatosur e Kosovës por përdoret dhe po keqpërdoret nga pushteti. Ashtu siç po na e kushtëzon pushteti ne liberalizimin e vizave me demarkacionin po ashtu pushteti i Kosovës po na e kushtëzon ne Forcat e Armatosura me Zajednicën.
Ne jemi në një situatë o me Serbinë e pa ushtri. Prandaj Serbia po e kundërshton fuqishëm formimin e FAK-ut. Por me çfarëdo rrethane ligjor kushtetuese në cilëndo situatë çoftë me atë të kundërshtimi të Serbisë, qeveria e Kosovës do të duhej të formonte ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Ndërsa Selimi ka theksuar se po të pyesnim ende Serbinë do të duhej ta pyesnim edhe për pavarësinë gjë kjo që s’është bërë dhe jemi shtet i pavarur.

“Në ta bëjmë ushtrinë, e flaka i daltë Serbisë sa i përket kësaj pune”, ka përfunduar Selimi.

Berisha: Thaçi e Mustafa “përdorën ” për fushatë krijimin e FAK-ut

Zafir Berisha

Kurse deputeti Zafir Berisha nga NISMA i cili njëherësh është edhe anëtar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i kontaktuar nga Indeksonline ka theksuar se çështja e shndërrimit të FSK-së në FAK është përdorur vetëm si fushatë elektorale.

“Shndërrimi i FSK-së në FAK është përdorur vetëm në fushatë elektorale nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa edhe pse ata e kanë ditur që në koalicion të Listës Serbe të Vuçiqit është e vështirë për t’u realizuar”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se ai edhe si anëtarë i Komisionit ka shprehur shumë herë publikisht se FSK nuk bëhet me emër.

“FSK nuk bëhet me emër, bëhet me mbështetje financiare dhe me ngritje të kapaciteteve profesionale”, ka thënë Berisha.

Sipas tij kjo çështje është vonuar për t’u vendosur në Kuvend. “Kjo çështje është vonuar për t’u vendosur në Kuvend dhe mendoj se kjo është për arsye të pazareve të Vuçiqit, dhe nuk besoj se ka ndonjë pengesa tjetër përpos pengesë së brendshme që ka koalicioni i LDK-PDK dhe Listës Serbe”, ka shtuar Berisha.

Gjithashtu ai ka theksuar se opozita është deklaruar që mbështet fuqishëm këtë kështu duke menduar se me fuqizimin e FSK-së në ushtri i shërbejmë paqes jo vetëm në Kosovë.

Temat
LajmeVend

Të afërta