46 mijë ndërtime pa leje në Prishtinë, të legalizuara vetëm 65

Prishtina duke qenë kryeqyteti i Kosovës ka numrin më të madh të banorëve dhe rrjedhimisht edhe numri i ndërtesave është i madh, mirëpo jo të gjitha ndërtesat në kryeqytet janë të legalizuara.

Në komunën e Prishtinës deri më tani janë identifikuar gjithsej 46 mijë ndërtime pa leje, ku prej këtij numri vetëm për 6 mijë e 780 objekte është kërkuar legalizimi, ndërsa janë legalizuar vetëm 65.

Në mënyrë që ndërtesat në komunën e Prishtinës të jenë të legalizuara, siç kërkohet edhe me ligj, komuna kishte filluar procesin e legalizimit në vitin 2010, që pas një pauze vazhdoi në vitin e kaluar.

Në fazën e aplikimit për legalizim, që ishte deri në mars të këtij viti, zyrtarja për informim në Drejtorinë e Urbanizimit të Komunës së Prishtinës, Heroina Maloku bëri të ditur për KosovaPress se një numër i pronarëve të objekteve nuk e kanë kompletuar dokumentacionin e duhur për këtë proces, mirëpo pavarësisht kësaj ata kanë hyrë në listën e aplikantëve dhe gjatë shqyrtimit lëndët e tyre do të jenë në plotësim të dokumentacionit.

Ndërsa për objektet për të cilat nuk është bërë aplikimi për legalizim, Maloku theksoi se ashtu siç përcakton edhe ligji, ato objekte do të rrënohen.

Duke vlerësuar procesin e legalizimit Albulena Nrecaj, nga organizata e Iniciativa për Progres – INPO, e cila merret me monitorimin e punës së komunave të Kosovës, tha për KosovaPress se në përgjithësi procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Kosovë ka pasur vështirësi dhe ka pasur vonesa.

Mirëpo, sipas saj, faji për këto vështirësi dhe vonesa jo domosdoshmërisht qëndron te autoritetet komunale, por tek paqartësitë në procedura dhe në trajtimin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, e cila ka derivuar nga ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili është miratuar në vitin 2014 e që po i njëjti është në proces të plotësimit dhe ndryshimit të tij.

Sipas saj disa nga problemet që kanë përcjellë procesin e legalizimit kanë qenë mënyra e aplikimit për legalizim si dhe mungesa e kapaciteteve njerëzore të komunës së Prishtinës për t’i trajtuar aplikuesit potencial.

Temat
LajmeVend

Të afërta